Arbëri

Në tremujorin e parë në Gjilan riatdhesohen pesë familje

Komiteti për Komunitete e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, ndërkohë që ka shqyrtuar edhe raportin tremujor të Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK).

Përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Sadete Sadiku ka thënë se gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit vazhdon të jetë e mirë dhe qetë, duke nënvizuar faktin se gjatë kësaj periudhe nuk është raportuar asnjë rast me motive ndëretnike, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ndërkaq, Milivoje Zhivkoviq, shef i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se sa i përket procesit të kthimit dhe ri-integrimit, Komuna e Gjilanit ka themeluar para tre muajve një komision për kthim, i cili përbëhet nga tetë anëtarë, derisa në fillim të këtij viti ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Këshillin danez për refugjatë, për ndihmë në procesin e kthimit, transmeton Koha.net.

“Familjet e kthyera kanë pasur qasje të plotë në shërbimet publike dhe nuk kanë ankesa të natyrës së sigurisë. Po ashtu janë vizituar disa familje të komunitetit rom si dhe janë evidentuar nevojat e tyre për ndihma elementare”, ka thënë Zhivkoviq.

Në raportin e Zyrës për Komunitete dhe Kthim zë vend edhe procesi i riatdhesimit, me ç`rast thuhet se në periudhën janar-mars të këtij viti, nga vendet e treta, kryesisht Franca dhe Austria janë kthyer 5 familje me 8 anëtarë, qoftë në mënyrë të vullnetshme, qoftë në mënyrë të detyrueshme.

Surdulli ka thënë se raporti ka mospërputhje ndërmjet pjesës grafike dhe asaj tekstuale dhe ka kërkuar që këto gabime të korrigjohen në raportimet e ardhshme, derisa Miliovoje Stojanoviq tha se Zyra për Komunitete dhe Kthim duhet të përfshihet në procesin e planifikimit buxhetor, për të paraqitur nevojat e komunitetit për investime. Fadil Demiroviq ka kërkuar nga policia mirëkuptim ndaj pjesëtarëve të komunitetit rom, të cilët përdorin motoçikleta të lehta për punë, sepse nuk kanë mundësi t`i regjistrojnë ato mjete.

Zhivkoviq tha se Zyra nuk ka buxhet të vetin, por në projektet e drejtorive komunale përfitojnë edhe komunitetet, ndërkohë që në këto lokalitete investon edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete ka njoftuar se për arsye personale tërhiqet nga kjo trupë komunale, të cilën ai e ka udhëhequr prej pasluftës e këndej. Njëherësh, Shahin, i cili kohëve të fundit ka pasur edhe disa probleme shëndetësore, është shprehur i pakënaqur sa i përket punësimit të komunitetit turk.