Arbëri

Prokuroria akuzon një inspektor komunal dhe një investitor

Prokuroria Themelore e Prizrenit, të mërkurën, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër një inspektori komunal të ndërtimit në Prizren për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe ndaj një investitori për veprën penale të heqjes apo dëmtimit të vulave zyrtare ose shenjave sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Departamenti për Krime të Rënda i kësaj prokurorie ka akuzuar dy të pandehurit për veprime të kundërligjshme lidhur me ndërtimin pa leje të një ndërtese banesore në rrugën “Tirana”.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari B.K., në periudhën kohore prej muajit maj të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2018 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, ashtu që shkel Ligjin mbi ndërtimin 2004/2015, përkatësisht nenin 64 duke mos kryer rrënimin e objektit pa leje ndërtimi, përkatësisht objektin banesor të investitorit A.K., në rrugën ‘Tirana’ në Prizren, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin, përkatësisht investitorin A.K., i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij për moslejimin e ndërtimit dykatësh të objektit, i cili nuk kishte leje ndërtimi”, shkruan në kumtesën e Prokurorisë Themelore.

Sipas organit të akuzës me këto veprime, i akuzuari me inicialet B.K. ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")