Mitrovicasit në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale

Mitrovicasit në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale

22 April 2019 14:14

“Një vath në solidarizim me heroinat tona në instalacionin F”, ishte ngjarja që u mbajt sot në Mitrovicë, në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ngjarje morën pjesë dhjetëra qytetarë, përfshirë edhe përfaqësues institucionalë.

Afërdita Syla-Shehu nga organizata Community Building Mitrovica (CBM), ka bërë të ditur për KosovaPress se kjo ngjarje që po ndodhë sot në Mitrovicë është iniciativë e Batalionit Atlantiku për njohjen e viktimave të dhunës seksuale dhe solidaritetin me ta.

Sipas saj, kjo është vetëm një simbolikë që fton qytetarët për t’u solidarizuar me këto viktima.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, e ka quajtur iniciativën e qëlluar, duke thënë se është momenti i fundit që t’u jepet mbështetja e duhur, tani kur ato janë duke zhvilluar betejën për të drejtat e tyre.

Ai shtoi se institucionet duhet të punojnë më shumë në jetësimin në letër të të drejtave të grave në përgjithësi.

“Kjo është një iniciativë e qëlluar edhe pse mjaft e vonuar, por është momenti i fundit që t’i përkujtojmë dhe t’u japim mbështetjen e duhur tani kur janë duke zhvilluar betejën për të drejtat e tyre. Prezenca jonë sot këtu është diçka më së paku që mundemi të bëjmë për viktimat seksuale në vitet e luftës. Duhet të punojmë më shumë në jetësimin në letër të të drejtave të grave në përgjithësi”, tha Mujka.

Edhe Hasime Hasani, nga organizata ‘Mundësia’, tha se ka dalë sot këtu në shenjë solidarizimi dhe përkrahjeje ndaj të gjithë personave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Edhe ne si organizatë së bashku me kolegët vumë nga një vath në shenjë mbështetjeje për këto gra”, tha mes tjerash ajo.

Ndryshe, si pjesë kryesore e këtij projekti është aktiviteti i shpërndarjes së shtatë karaktereve “# F O R H E R” në qytetet kryesore të Kosovës, dhe në ato karaktere në shenjë solidarizimi me gratë e prekura nga kjo dukuri janë ngjitur vathët, – “#” dje në Prishtinë, “F” sot në Mitrovicë; ndërsa vathë do të ngjiten ditët në vijim edhe “O” në Pejë, “R” në Gjakovë, “H” në Prizren, “E” në Ferizaj, si dhe “R” në Gjilan.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme