Idriz Vehapi, kryetar i PDK-së në Rahovec

Idriz Vehapi, kryetar i PDK-së në Rahovec

21 April 2019 17:35

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Rahovec, sot ka mbajtur Kuvendin zgjedhor të degës, në prani të delegatëve nga të gjitha nëndegët, dhe me vota të fshehta ka zgjedhur Idriz Vehapin për kryetar, njofton kumtesa e degës në këtë komunë, transmeton Koha.net.

Gjithashtu, Kuvendi zgjedhor ka zgjedhur edhe 61 anëtarë të Këshillit drejtues dhe 16 anëtarë për Konventën Qendrore.

Punimet e këtij Kuvendi, i ka përshëndetur zv. kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se PDK si gjithë andej Kosovës edhe në Rahovec ka mbajtur një proces zgjedhor fer, të lirë dhe demokratik.

Sipas njoftimit, Hoxhaj ka theksuar se Partia Demokratike ka qenë me rol kyç në ndërtimin e shtetit tonë, prandaj, sa më e fortë është PDK, nga Sharri në Shalë të Bajgores, aq më e fortë është Kosova.

“Sa më të fortë jemi, aq më shumë detyra të mëdha kryejmë, aq më shumë forcohet vizioni i kryetarit Kadri Veseli”, tha Hoxhaj, duke shtuar se Dekada e re, e ideuar nga Veseli, nënkupton më shumë vende të reja të punës, më shumë zhvillim ekonomik dhe më shumë mbështetje për fermerët.

Ndërkaq, Idriz Vehapi e ka paraqitur një raport pune në mes të dy kuvendeve. Ai ndër të tjera ka thënë se PDK mbetet subjekti më i konsoliduar në Rahovec.

Po ashtu, ai ka potencuar se PDK në zgjedhjet e ardhshme do të qeveris përsëri në komunën e Rahovecit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme