Arbëri

Hoça e Vogël përjashtohet nga kuvendi i PDK-së në Rahovec

Kryesia e nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës në Hoçë të Vogël, të Rahovecit, ka njoftuar se delegatët e saj janë përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvendin e degës së PDK-së, i cili po mbahet në Rahovec.

Sipas kësaj nëndege, shkas i përjashtimit ishte fakti se kryetari i kësaj nëndege Ramadan Krasniqi ishte kandidat për kryetar të degës.

Në këtë situatë Kuvendi i PDK-së në Rahovec ka vetëm një kandidat, Idriz Vehapin për kryetar, të cilin delegatët s'kanë nevojë ta votojnë me votë të fshehtë.

Postimi i plotë i nëndegës në Hoçë të Vogël;

"PRONONCIM PUBLIK - lidhur me punimet e Kuvendit zgjedhor të degës së PDK-së, Rahovec

Të nderuar anëtarë dhe simpatizant të PDK-së.

E ndjejmë për obligim moral dhe politik që t’ju informojmë lidhur me parregullsitë dhe shkeljen e vullnetit të lirë të shprehur me votë, që sot iu bë anëtarëve dhe simpatizantëve të nëndegës sonë, e cila është njëra nga nëndegët më të mëdha në Degën e Rahovecit.

Padrejtësisht delegatëve të zgjedhur me votën e anëtarëve të partisë në një Kuvend të rregullt zgjedhor të mbajtur në nëndegë, iu mohua e drejta e pjesëmarrjes në Kuvendin e degës, përmes një vendimi që na komunikuan verbalisht nga Komisioni qendror zgjedhor i PDK- së.

Gjithashtu, duam të ju informojmë se Ramadan Krasniqi ishte njëri nga kandidatët e mundshëm për kryetar të degës së Rahovecit. Si duket ky fakt nuk iu ka pëlqyer strukturave që mbështesin njëanshëm kryetarin aktual te degës Idriz Vehapin dhe në mënyrë të parregullt dhe jodemokratike u eliminuam nga gara në parti.

Sot në Kuvendin e degës së PDK së në Rahovec u shkelën parimet demokratike, u shkel statuti i partisë për të mundësuar zgjedhjen e Kryetarit të degës me porosi, pa konkurrencë .