Lipjani të dielën pa ujë të pijshëm

Lipjani të dielën pa ujë të pijshëm

21 April 2019 13:10

Qytetarët e Lipjanit gjatë muajve të fundit shpeshherë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm derisa kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka dështuar të bën investime për ta përmirësuar gjendjen.

Ndërkohë qytetarët janë taksapagues mjaftë të rregullt të ujit. Me mungesë të ujit qytetarët e Lipjanit po përballen edhe gjatë së dielës derisa furnizimi është ndërprerë që nga orët e hershme të mëngjesit. Rreth gjendjes së keqe me ujë të pijshëm gjatë muajve të fundit është debatuar shpeshherë edhe nëpër mbledhje të Kuvendit Komunal, mirëpo deri tashti nuk është përmirësuar gjendja, raporton Koha Ditore.

Uji në Lipjan ndërpritet shpeshherë pa ndonjë paralajmërim dhe zgjatë me orë të tëra. Rreth kësaj çështje kanë reaguar vetë banorët të cilët janë taksapagues të rregullt ndaj faturave të kompanisë.

“Nuk e di deri kur do të vazhdojë kështu kjo gjendje e rëndë me ujin e pijshëm. Kjo çështje është jetike për qytetarët. Më mirë është të anulohet një projekt rrugor apo ndonjë projekt tjetër dhe të bëhen investime për ta përmirësuar gjendjen me ujë në Lipjan. Katet e larta nuk kanë fare ujë dhe kjo është tmerr”, ka thënë Arben Berisha banor.

Ndërkaq në mbledhjen fundit të KK-së këshilltari nga radhët e PDK-së Ramiz Qeriqi, pati akuzuar menaxhmentin e kësaj kompanie derisa nuk po ofron shërbime për qytetarët që janë taksapagues të rregullt.

“Kjo kompani ka dështuar ta menaxhoi ujësjellësin në Lipjan sepse qytetarët shpeshherë po ankohen shkaku i mungesës së ujit të pijshëm e sidomos ata në katet e larta. Në katin e tretë qytetarët nuk kanë ujë. Duhet të bëhet një zgjidhje sepse prej vitesh po ka ankesa të tilla”, ka thënë Qeriqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme