Arbëri

Komuna e Mitrovicës ka vazhduar aksionin e rrënimit të objekteve pa leje afër liqenit akumulues

Që nga paslufta, Ramadan Istrefi nuk ka mundur të kthehet në shtëpinë e tij në Kroin e Vitakut, andaj ai ka jetuar në shtëpinë e vajzës së tij, afër liqenit artificial në Mitrovicë.

Mirëpo, të premten, atij komuna ia ka rrënuar shtëpinë, duke e lënë pa kulm mbi kokë, raporton KTV.

Istrefi thotë se zyrtarët komunalë nuk e kanë paralajmruar, duke i dhënë kohë vetëm 10 minuta për të dalë nga shtëpia.

Këta banorë thonë se shtëpitë ishin ndërtuar qe 18 vjet. Derisa kanë mbetur jashtë, thonë se përkohësisht do të vendosen te të afërmit, derisa të gjejnë zgjidhje.

Zyrtarët komunalë nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës së shtunë për të dhënë përgjigje.

Përderisa të premten, Komuna e Mitrovicës ka rrënuar këto dy shtëpi, të cilat ishin ndërtuar në pronë komunale, të njëjtin aksion e kishte ndërmarrë edhe vitin e kaluar.

Sipas Komunës së Mitrovicës janë edhe 70 shtëpi të tjera që do të rrënohen në afërsi të liqenit akumulues.