Arbëri

MKRS pritet të investojë mbi 650 mijë euro në Deçan

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë nënshkruar katër memorandume bashkëpunimi, për financimin e projekteve: “Stadiumi i qytetit – Deçan”, “Ndërtimi i Qendrës Rinore në Deçan”, “Ndërtimi i fushës sportive në Irzniq – Komuna e Deçanit” dhe “Ndërtimi i fushës sportive në Shaptej – Komuna e Deçanit”.

Sipas një njoftimi për medie, për ndërtimin e stadiumit të qytetit Ministria e Kulturës ka ndarë 200 mijë euro, projekt i cili do të realizohet gjatë viteve 2019-2020. Për ndërtimin e qendrës rinore ndan 150 mijë euro, për ndërtimin e fushës sportive Irzniq ndan 100 mijë euro, ndërsa për ndërtimin e fushës sportive Shaptej ndan 50 mijë euro, projekte të cilat do të zbatohen gjatë vitit 2019.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se ashtu si në çdo komunë tjetër, edhe në Deçan po bëhen investime kapitale për përkrahjen e të rinjve dhe sportistëve të kësaj komune.

“Vizita ime ka të bëjë me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të financimit për disa projekte sportive por edhe për të parë punimet në palestrën sportive, një objekt që ka zgjat për më shumë se 10 vite. Jemi të përkushtuar që këtë vit të përfundojnë të gjitha palestrat në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.

Ai ka njoftuar se do të bëhen investime edhe në dy terrene sportive, një në fshatin Irzniq dhe një në fshatin Shaptej dhe e cilësoi si shumë të rëndësishme faktin se pjesë e këtyre marrëveshjeve është edhe finalizimi i projektit të palestrës, transmeton Koha.net.

“Falënderoj edhe deputeten e Kuvendit të Kosovës, Safete Hadërgjinaj, për kontributin e dhënë për ndarjen e këtyre mjeteve të cilat kapin shifrën e rreth 650 mijë eurove” tha në fund ministri.

Ndërsa kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e këtyre memorandumeve, duke thënë se realizimi i projekteve është shumë i rëndësishme sepse këto objekte do të jenë një ndihmesë shumë e madhe e punës dhe aktiviteteve të të rinjve dhe sportistëve e Deçanit.

“Është një fillim i mbarë këtë vit sepse me ndihmën e Ministrisë dhe të deputetes Safete Hadërgjonaj kemi arrit që edhe Deçani të ketë një buxhet për përmbylljen e disa nevojave të veta. Ne sot kemi arrit të nënshkruajmë memorandume bashkëpunimi mes Komunës dhe Ministrisë e të cilat projekte kanë me pas një impakt shumë të madh në zhvillimin kulturor për Deçanin”, ka thënë ai.