Arbëri

Vlera e llogarive të arkëtueshme në Prizren është 19 milionë euro

Descriptive Text

Komuna e Prizrenit është në hall me llogaritë e arkëtueshme. Ato janë duke u shtuar nga viti në vit. Tashmë shuma e tyre ka arritur shifrën prej afro 19 milionë eurosh.

Zyrtarët e qeverisë komunale kanë bërë të ditur se kanë krijuar një ekip të posaçëm që duhet të hartojë një raport të hollësishëm rreth kësaj çështjeje, si dhe të ofrojë rekomandime për adresimin e problemeve në këtë drejtim, teksa pritet edhe kontributi i nivelit qendror. Mirëpo opozitarët konsiderojnë se ekzekutivi lokal nuk është treguar efektiv në këtë pikë, meqenëse për 1 vit e gjysmë qeverisjeje nuk ka sjellë asnjë plan të veprimit lidhur me këtë çështje, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, shuma e llogarive të farkëtueshme, përkatësisht borxheve të paarkëtuara nga Komuna e Prizrenit në fund të vitit 2018 arrin në 18 milionë e 932 mijë euro.

Kjo nënkupton se borxhet e paarkëtuara nga Komuna për periudhën njëvjeçare janë shtuar për afro 1 milion e 870 mijë euro. Në raportin e MF-së figuron se llogaritë e arkëtueshme të Komunës së Prizrenit në fund të vitit 2017 kanë qenë 17 milionë e 63 mijë euro, apo 1.5 milionë euro më shumë se në vitin 2016, të cilën periudhë kjo komunë e pat mbyllur me llogari të arkëtueshme në vlerën prej 15 milionë e 570 mijë eurosh.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)