Drenasi diskuton me autoritetet për implementimin e projektit të Pendës ujëmbledhëse

Drenasi diskuton me autoritetet për implementimin e projektit të Pendës ujëmbledhëse

16 April 2019 18:19

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në takim presidentin e Komitetit të Ballkanit Perëndimor nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë, Attila Galambos, me të cilin bisedoi për finalizimin e ujëmbledhësit të Vërbocit dhe ndërtimin e tramvajit.

Pas aprovimit të Këshillit Kombëtar për Investime nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të datës 13.7.2018 për financimin e projektit “Ndërtimi i Pendës Ujëmbledhës për ujë të pijes në fshatin Vërboc” i cili do të financohet nga autoritetet hungareze, ky ka qenë takimi i parë zyrtar mes Komunës së Drenasit dhe autoriteteve hungareze, ku është diskutuar për hapat e mëtejmë në mënyrë që sa më parë të fillojë implementimi i projektit të Pendës ujëmbledhëse që do të shërbejë për furnizimin e 40 mijë banorëve me ujë të pijes.

Galambos ka njoftuar kryetarin Lladrovci për veprimet të cilat duhet të ndërmerren bashkërisht në mënyrë që ky projekt të fillojë sa më parë, transmeton kp.

Ndërsa kryetari Lladrovci është zotuar se të gjitha çështjet teknike dhe administrative do të kryhen me prioritet të lartë nga ana e Komunës së Drenasit për realizimin e këtij projekti me rëndësi për banorët.

Lladrovci dhe Galambos kanë diskutuar edhe për Stadiumin Nacional, i cili do të ndërtohet në territorin e Drenasit me mundësi financimi me kredi të butë nga shteti hungarez. Të njëjtit kanë pasur një diskutim edhe për ndërtimin e tramvajit, zotim i mëhershëm nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryetari Lladrovci.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme