Arbëri

Përkujtohen dëshmorët Gashi e Behra në Krushë të Madhe, familjarët thonë se nuk patën përkrahjen e shtetit

Dorentina Thaqi

Bekim Gashi e Dalip Behra nga fshati Krushë e Madhe e Rahovecit, u vranë më 13 prill të vitit 1999 duke luftuar.

Gashi, 23-vjeçar e Behra 38-vjeç, mbetën të vrarë nga forcat serbe në vendin e quajtur Rreze e Krushës, raporton KTV.

Babai i Bekimit, njëherësh edhe koordinatori i UÇK-së në këtë fshat, thotë se institucionet nuk kanë bërë aq sa duhet për familjarët e të vrarëve gjatë luftës.

Ai shton se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe nuk kishte nevojë për Gjykatë Speciale.

Frashër Behra kujton se ka qenë vetëm 11 vjeç kur babai i tij, Dalip Behra ka rënë për liri të vendit.

Dy dëshmorët janë nderuar me homazhe edhe nga kreu i LVV-së,Albin Kurti dhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Në 20-vjetorin e rënies së Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, është mbajtur edhe akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Krushë të Madhe.

Në këtë fshat, gjatë luftës u vranë e masakruan 241 persona, prej tyre 64 vazhdojnë të jenë të zhdukur.