Arbëri

Në Zhegër të Gjilanit nis manifestimi tradicional “Ditët e Agimit”

Descriptive Text

Ka nisur sot në Zhegër të Gjilanit manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit”, që i kushtohet nderimit të figurës poliedrike të heroit të kombit Agim Ramadani.

Manifesimi ka filluar me një turnir në futboll të vogël me moton “Edhe me sport e kujtojmë Agimin”, ku kanë marrë pjesë 40 ekipe nga të gjitha trojet shqiptare, për të vazhduar me një turnir të shahut dhe për të kulmuar në mbrëmje me “Flakadanët në përkujtim të 114 dëshmorëve të Betejes së Koshares”, ku edhe do të bëhet shpërndarja e kupave për fituesit e turnirit, transmeton Koha.net.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, nën përkujdesjen e të cilit po mbahet ky manifestim, ka thënë se Agimi me pushkën, me penen dhe brushën e tij, u bë i pavdekshëm.

“Agimi me luftën, me kushtrimin, me pushkën, me penën dhe me brushën e tij, u bë i pavdekshëm. Secili prej neve e dëshiron një pavdekësi të tillë. Agim Ramdani, në të gjitha format ashtu siç edhe ne i shënojmë këto ditë, edhe me kulturë edhe me poezi edhe me pikturë dhe me fjalët e tij, e mbi të gjitha, me shembullin e tij, bëri që të nderohet Karadaku, Zhegra, Kosova, atdheu dhe shqiptarët kudo që jetojnë”, është shprehur Haziri.

Manifestimi, i cili po realizohet nga Shoqata Kulturore “Ditët e Agimit”, do të vazhdojë me aktivitete për tri ditë me radhë, për të kulmuar me tubimin qendror në Zhegër, më 3 maj, në ora 16:00.