Arbëri

Një grua në Kamenicë lind në tregun e qytetit

Descriptive Text

Një lindje jo e zakonshme ka ndodhur këto ditë në Kamenicë. Një grua ka kryer lindjen në tregun e këtij qyteti.

Kështu ka njoftuar kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, që ka bërë të ditur se tash nënës dhe fëmijës i janë bërë kontrollet e duhura.

“Sot rreth orës 17, një qytetar na njoftoi për një lindje jo të zakonshme në tregun e qytetit. U njoftuam që nëna dhe fëmija janë në rrugë tash e ca ditë. Menjëherë u angazhuam ta gjejmë nënën dhe fëminë dhe me ekipin mjekësor shkuam në shtëpi, ku iu bë kontrolla. Nëna dhe fëmija janë shëndosh”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej Kastrati ka thënë se jeta e rëndë e komunitetit rom në Kosovë nuk duhet të neglizhohet. Ka shtuar se komuna po angazhohet që të rifunksionalizojë repartin e gjinekologjisë.

“Falënderoj qytetarin Fekim Dalipi që tregoi qytetari të dalluar duke lajmëruar rastin, dhe mjekun Latif Sylaj e infermieren Almaa Latifaj për përgjegjshmërinë profesionale. Jeta e rëndë që e bën komuniteti rom në vendin tonë nuk mund të neglizhohet. Të gjithë qytetarët pa dallim përkatësinë meritojnë vëmendjen tonë. Ne jemi duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet të rifunksionalizojmë repartin e gjinekologjisë”, ka thënë ai.