Arbëri

Haziri: Gjilani, e vetmja komunë me shkollim në gjuhën rome dhe me çerdhen për fëmijët e tyre

Foto: Ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka uruar ata, duke theksuar se Gjilani është e vetmja Komunë me shkollim në gjuhën rome dhe me çerdhen për fëmijët e tyre.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, u uroj të gjitha të mirat këtij komuniteti dhe rikonfirmoj mbështetjen për të drejtat e tyre. Gjilani është e vetmja Komunë me shkollim në gjuhën rome dhe me çerdhen për fëmijët e tyre dhe për këtë ndihem krenar. Me këtë rast dua ta përmendi dhe ta komplimentojë për angazhimin e saj në avancimin e të drejtave të grave, heroinën Shpresa Agushi, e cila këtë po e bën përmes Rrjetit të OJQ-ve të grave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas të Kosovës (RrOGRAEK)”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale. Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komuniteti rom në të gjithë botën.