Arbëri

Një orë pritje për shërbim spitalor në Gjakovë, menaxhmenti paralajmëron masa

Me telashe e parregullsi po përballet spitali rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

Në një video që ka arritur në adresë të KTV-së, shihen disa pacientë të cilët presin në korridorin e spitalit për të kryer shërbimet e rëntgenit.

Afrim Dervishi, zëvendësdrejtor në këtë spital, thotë se nuk janë në dijeni për këtë rast, por nuk e mohon se mund të ketë ndodhur.

Dervishi tregon se në rastet kur është abuzuar me detyrën zyrtare, ndaj personave të tillë kanë marrë masa disiplinore, përderisa për rastin në fjalë, premton se do ta hulumtojë.

Por, probleme tjera në këtë spital janë edhe mungesa e barnave esenciale, inventari i vjetruar, e mungesa e higjienës në oborrin e spitalit, raporton KTV.

Dervishi pranon se spitali “Isa Grezda” ka disa telashe, por se, edhe në kushte të tilla, mundohen t’u ofrojnë shërbime cilësore pacientëve.

Së fundi, sipas Dervishit, me investim të Ministrisë së Shëndetësisë, spitali i Gjakovës do të rinovohet dhe do të pajiset me inventar të ri, kostoja e të cilit do të jetë mbi 700 mijë euro.