Arbëri

INPO: Ferizaj s’e zbaton drejt ligjin dhe nuk ofron qasje pro-aktive në dokumentet publike

Organizata Iniciativa për Progres (INPO) sot përmes një tryeze ka prezantuar raportin hulumtues "Transparenca dhe e drejta për qasje në dokumente publike në Ferizaj: mes injorimit dhe zbatimit".

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ky raport trajton nivelin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për të drejtën e qasjes së qytetarëve në dokumente publike nga komuna e Ferizajt, mos-zbatimit të rekomandimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit kundrejt kufizimit të qasjes së lirë të qytetarëve në dokumente publike, si dhe ofron rekomandime me qëllim të zbatimit të drejtë dhe efikas të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Raporti paraqet raste specifike në të cilat Organizata INPO ka qenë palë kërkuese e dokumenteve publike. Gjithashtu, INPO ka analizuar raportin vjetor 2018 të zyrës së Kryetarit të Komunës për qasje në dokumente publike.

Drejtoresha Ekzekutive e INPO-s, Albulena Nrecaj tha se gjetjet kryesore të raportit të INPO janë: (i) nuk zbatohet në tërësi Udhëzimi Administrativ (MAP) për Ueb-faqet e Institucioneve Publike ku komuna e Ferizajt nuk i ofron përmes ueb-faqes së saj një mori informatash dhe dokumentesh publike, (ii) komuna e Ferizajt nuk ofron informata në ueb-faqen e saj për të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumente publike, në veçanti duke mos ofruar informata për mënyrën e kontaktimit të zyrtarit përgjegjës për qasje në dokumente publike.

“Raporti ka nxjerrë në pah praktikën e mbrapshtë të komunës në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, ku ndaj shumicës së kërkesave të INPO-së për qasje në dokumente publike, zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike nxjerrë aktvendim për lejim të qasjes, mirëpo dokumentet e kërkuara nuk ofrohen, respektivisht vendimi nuk përmbarohet. Komuna e Ferizajt sipas praktikës ka dëshmuar se nuk ka asnjë lloj vullneti dhe përkushtimi institucional për të zbatuar drejtë ligjin dhe të ofrojë qasje pro-aktive në dokumentet publike”, thuhet në komunikatë.

“Në 90% të rasteve, INPO me qëllim që të sigurojë dokumentet detyrohet të trokasë në zyra të ndryshme të komunës me qëllim të përmbarimit të vendimeve”, shtoi ajo.

Panelistë në këtë tryezë ishin nënkryetari i komunës së Ferizajt, Naim Ferati, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit në Ferizaj, Kemal Aliu dhe zyrtari për qasje në dokumente publike, Liridon Jetishi, ndërsa pjesëmarrës në tryezë kanë qenë anëtarë të Kuvendit Komunal nga partitë opozitare, përfaqësues nga ekzekutivi i komunës, gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Aliu, përfaqësuesi i Institucionit të Avokatit të Popullit ka lavdëruar raportin e INPO-s duke u pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e INPO-s më qëllim të avancimit të zbatimit të ligjit dhe promovimit të së drejtës për qasje në dokumente publike nga institucionet publike në Kosovë.

Ai tha se faktorë kryesorë për nivel të ulët të respektimit të së drejtës për qasje në dokumente publike janë paqartësitë ekzistuese ligjore dhe mungesa e vullnetit të institucioneve për zbatimin e ligjit në fuqi. Gjithashtu, ai shqetësuese e sheh mos-zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet publike, respektivisht komuna e Ferizajt.

Ndërsa nënkryetari i komunës, Naim Ferati, tha se organet komunale do t’i trajtojnë gjetjet e raportit dhe se do të angazhohen në adresimin e rekomandimeve të INPO-s më qëllim që e drejta për qasje në dokumente publike në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast të mos cenohet. Po ashtu, ai shtoi se komuna ka ndërmarrë një sërë veprimesh për të ofruar transparencë dhe llogaridhënie përmes publikimit të një varg dokumentesh e të dhënash të cilat nuk janë publikuar nga qeverisjet e mëhershme.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.