Arbëri

Tregtarët e Mitrovicës vazhdojnë të shesin në trotuare ani pse hapësira e tregut është e gatshme

Çdo të shtunë, rruga “Adem Voca” në Mitrovicë, merr këtë pamje.

Gjatë tërë ditës, tregtarët shesin produkte të ndryshme nëpër trotuare, duke detyruar këmbësorët të lëvizin në rrugë, raporton KTV.

Qytetarët ankohen se produktet që shiten në pluhurin e rrugës janë të dëmshme për shëndetin.

Ndonëse hapësira e tregut e vendosur nga Komuna është pak metra larg dhe ka hapësirë të mjaftueshme, ajo nuk po shfrytëzohet nga të gjithë shitësit.

Këta të fundit thonë se kjo hapësirë është e papërshtatshme, për shkak se blerësit e kanë më të vështirë qasjen në të.

Në Komunën e Mitrovicës thonë se kontrollet e inspeksionit po kanë vështirësi të shtunave, për shkak të fluksit të madh të shitësve nga rajoni.

Nënkryetari Faruk Mujka, ka thënë se u nevojitet më shumë ndihmë nga Policia.

“Gjatë javës kontrolli është më i lehtë, por të shtunave po ka fluks më të madh edhe të shitësve nga rajoni, por edhe të konsumatorëve lokalë. Po na nevojitet një përkrahje më e madhe mbështetëse nga Policia, por edhe ata kanë telashe me staf të pamjaftueshëm për territorin dhe situatën politike të komunës sonë. Përherë apelojmë te shitësit t’u përmbahen rregullave, përndryshe po na detyrojnë ta bëjmë konfiskimin e mallit, gjë të cilës po i ikim maksimalisht, duke ditur situatën ekonomike të qytetarëve dhe prodhuesve tanë”, ka thënë Mujka.

Ai u ka bërë thirrje shitësve që të përdorin maksimalisht tregun e qytetit dhe të mos detyrohen ta bëjnë konfiskimin e produkteve.