Banorëve në Fushë Kosovë u premtohet nga maji furnizim me ujë 24 orë

Urim Isma Urim Isma 18 March 2019 22:06

Agim Bërbatovci, nga Fushë Kosova, gati qe 20 vjet, ka mungesë të ujit të pijes.

Ai thotë se e ka të vështirë të jetojë në këtë mënyrë, e cila çdo ditë i sjell vështirësi, raporton KTV.

Ndonëse nuk merr shërbim të rregullt nga kompania e ujësjellësit “Prishtina”, atij i faturohet një shumë që sipas tij, është e papranueshme.

Përveç tij, problem me ujë të pijes kanë edhe mbi 300 familje të tjera të kësaj pjese.

Ata shprehen se është e papranueshme që në shekullin 21, të ketë probleme të tilla që prekin nevojat elementare për jetë.

Banorët tregojnë se askush nga institucionet nuk ka marrë iniciativë që t’ua zgjidhë problemin me ujin e pijes.

Në komunën e Fushë Kosovës, thonë se janë munduar t’u ofrojnë zgjidhje këtyre banorëve, përmes hapjes së disa puseve.

Premtime se Fushë Kosova do të ketë ujë të pijshëm 24 orë, kishte që nga përfundimi i fabrikës së ujit në Shkabaj.

Në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” thonë se problemi me ujin e pijes për banorët e Fushë Kosovës, do të zgjidhet nga 1 maji i këtij viti.

Problem me ujin e pijes, 4 blloqet e këtyre ndërtesave, me mbi 300 familje, kanë që nga paslufta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme