Arbëri

Gjenerallejtënant Rrahman Rama e sportistit Enver Idrizi “Qytetar Nderi” të Mitrovicës

Në mbledhjen e 43-të me radhë, të rregullt, të Kuvendit të Komunës, që është mbajtur nën drejtimin e kryesuesit Bislim Imeri, këshilltarët kanë miratuar propozimin e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, që komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Ramës dhe sportistit të njohur shqiptar, Enver Idrizi, tu jepet Titulli “Qytetar Nderi” i Mitrovicës.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama-Komandant i Forcës së Sigurisë të Kosovës, i jepet Titulli “Qytetar Nderi” i Mitrovicës me motivacion: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në luftën për lirinë e pavarësinë e vendit dhe sidomos në organizimin e mobilizimin e Zonës Operative të Shalës së Bajgorës, mbrojtjen e qytetarëve të komunës nga forcat ushtarako-policore dhe paramilitare serbe; në ofrimin ndihmës për popullatën e Komunës së Mitrovicës dhe të rajonit të Drenicës para dhe gjatë luftës, si dhe në stabilizimin e gjendjes së sigurisë në Mitrovicë pas lufte”.

Ndërsa, Enver Idrizit, sportist i njohur shqiptar, i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Mitrovicës me motivacion: “Për kontributin e dhënë në sport dhe përfaqësimin e denjë të shqiptarëve anembanë botës; për kontributin e madh dhënë luftës çlirimtare të Kosovës në aspektin financiar, për ndihmën e madhe për familjet e shumta shqiptare gjatë luftës për pavarësi të Kosovës në aspekte të ndryshme, dukë përfshi këtu edhe atë strehimor”.

Ceremonia e dhënies së titullit të lartpërmendur do të bëhet në një mbledhje tjetër solemne të KK.

Image