Arbëri

Projekt për furnizim me ujë për gjashtë fshatra të Kamenicës

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkë me Ministrin e Financave, Bedri Hamza, bënë përurimin e punimeve për furnizimin me ujë në fshatrat Hodonoc, Roganë, Novosellë, Muqivërc, Dajkoc dhe Shipashnicë të Poshtme.

Projekti për furnizimin me ujë përfshin puset, stacionin e pompimit (pompat që dërgojnë ujin në rezervuar dhe trafon), rezervuarin me vëllim 1000 m3 dhe rrjetin shpërndarës në këto fshatra rreth 35km.

Kastrati tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për 25% të banorëve të Kamenicës dhe se i është mirënjohës ministrit për përkrahjen e vazhdueshme.

“Falënderoj jashtëzakonisht shumë ministrin Hamza për mbështetjen e tij të vazhdueshme, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim dhe organizatën joqeveritare CDI”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ministri Hamza tha se gjithmonë do ta kenë mbështetjen e tij dhe se është i kënaqur që kryetari Kastrati po mundohet t’i shtyjë projektet përpara.

Ky projekt është mbështetur financiarisht nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SDC), Qeveria e Kosovës – Ministria e Financave dhe Komuna, projekt ky i cili ka vlerën prej 883.056.00€.