Arbëri

Kaçanikut i ndahen katër milionë euro për vitin 2019

Afër 4 milionë euro nga buxheti i konsoliduar i Republikës së Kosovës janë ndarë për komunën e Kaçanikut për investime kapitale në vitin 2019. Kjo u bë e ditur në mbledhjen e fillimjavës, të cilën e udhëhoqi Kryetari Besim Ilazi dhe nënkryetari Ylber Bajra.

Drejtoria e Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit bëri të ditur se nga buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019, për komunën e Kaçanikut janë ndarë mjete në shumën 3,634, 834.00 euro ( afër 4 milionë), për financimin e projekteve në vazhdim dhe disa projekteve të reja.

Ndërkohë Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, njoftoi se janë duke u përgatitur dokumentet e nevojshme për fillimin edhe të projekteve të tjera të parapara për implementim për vitin 2019, si projekti “ Ndërtimi i rrugëve në fshatin Kaçanik të Vjetër”, “ Rregullimi i rrugëve në fshatin Kovaçec”, “ Ndërtimi i trotuarit në fshatin Bajnicë” faza e dytë, si dhe janë duke u bërë përgatitjet finale për fillimin e projektit “ Rregullimi dhe asfaltimi i rrugëve të qytetit” projekt i cili do të implementohet me grantin e fituar falë perfomancës së mirë komunale.

Në takim po ashtu u diskutuan edhe punët dhe aktivitetet tjera javore komunale nga drejtoritë e tjera dhe sektorët komunal. Po ashtu ekzekutivi komunal shprehu gatishmërinë për organizimin e shënimit të 20 vjetorit të betejave në komunës të Kaçanikut gjatë vitit 1999, si dhe shënimin e ditëve të marsit legjendar.