Arbëri

Eksperti i ujërave thotë se ‘tuxharllëku’ me hidrocentrale ka fitime afatshkurtra e dëme afatgjata

Paralajmërimi për ndërtimin e hidrocentraleve në shtratin e Lumbardhit të Pejës ka hasur në kundërshti të mëdha, si nga qytetarët, ashtu edhe nga shoqëria civile.

Kundër këtij investimi, përpos Komunës së Pejës, qytetarëve të saj e shoqërisë civile, ka dalë edhe Baton Begolli, që është Këshilltar për Politika Ujore nga Këshilli Ndërministror për Ujërat në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Begolli ka thënë se siç u shkatërrua Lumbardhi i Deçanit, ashtu planifikohet të shkatërrohet edhe Lumbardhi i Pejës.

“Me këto ‘hidrocentrale’ shkel e shko (troç profitereske) u shkatërrua Lumbardhi i Deçanit - asnjë llogari, Lepenci ku planifikohen digat për një pjesë të madhe të Anamoravës - asnjë llogari..., e tash ia paskan msy Lumbardhit të Pejës. E në anën tjetër ne u mbytem duke shëtitur nëpër komuna për të treguar se nuk kemi resurse të mjaftueshme”, ka shkruar Begolli, raporton Koha.net.

Eksperti i ujërave, Baton Begolli, kërkon që për investime të këtilla të pyeten profesionistët e jo të bëhen “tuxharllëqe” me fitime afatshkurta e dëme afatgjata.

“Boll mo! A pyetet kush këtu profesionalisht a krejt tuxharlloqe me fitime afatshkurtra e dëme afatgjate?! A vjen koha tek ne kur pacienti pyet mjekun e nuk e mëson atë, nxënësi mësuesin/profesorin, politika njohësit e lëmit..?”, ka potencuar ai.

Kujtojmë se një komision ndërministror i Qeverisë së Kosovës, të cilin e përbëjnë disa ministri, ka marrë iniciativë për ndërtimin e hidrocentraleve në shtratin e Lumbardhit të Pejës. Ky komision planifikon ta certifikojë një investitor të huaj nga Austria, i cili do t’i investojë 97 milionë euro në këtë projekt.