Arbëri

Tahiri: Blerësi i ardhshëm i “Llamkosit” nuk paguan pagat e mbetura borxh punëtorëve

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në “Express Intervistën” në KTV, ka thënë se blerësi i ardhshëm i fabrikës së llamarinës “Llamkos” nuk e ka për obligim që të paguajë pagat e mbetura borxh ndaj 450 punëtorëve.

Më shumë se 750 mijë euro vlerësohen të jenë obligimet e papaguara vetëm ndaj punëtorëve të ndërmarrjes së llamarinës “Llamkos” nga kompania private që kishte blerë atë. Kjo fabrikë ishte privatizuar dy herë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse tashmë gjendet në proces të falimentimit për shkak të obligimeve të mëdha që ka ndaj kreditorëve të ndryshëm. Rreth 500 punëtorë të cilët kanë mbetur pa punë tash e katër vjet, pretendojnë të jenë kreditorë, pasi menaxhmenti i kompanisë u ka mbetur borxh 10 paga ose në total 750 mijë euro.

Tahiri ka thënë se Komuna gjatë procesit gjyqësor ka kundërshtuar shitjen pa kushte të “Llamkosit”, por ka thënë se ajo mund të pamundësojë destinimin e fabrikës. Ai ka shtuar se Komuna do të mundohet që të funksionalizojë fabrikën e llamarinës dhe të mos shndërrohet në depo.

“Gjykata ka vendosur që Llamkosi të shtetet në ankand pa kushte. Edhe ne si Komunë e kemi kundërshtuar në seancë të fundit të gjykatës shitjen pa kushte. Ne kemi kërkuar që të mos i ndërrohet destinomi. Ajo nuk e ka pranuar këtë kusht duke dashur të mbrojë kreditorët, por komuna ka kompetencë ligjore që të ndërrojë destinimin të një zone të caktuar të qytetit. Llamkosi është e destinuar si tokë industriale dhe si komunë e kemi bërë të qartë që edhe me një rekomandim që komuna nuk ka për qëllim që të ndërrojë destinimin e Llamkosit”, ka thënë Tahiri.

“Nuk duam të frikësojmë blerësit, por duam t’i themi se Llamkosi duhet të jetë fabrikë dhe të mos jetë depo apo diçka tjetër. Ne si komunë nuk do të japim leje për të ndërruar destinimin e Llamkosit”, ka shtuar ai.

Tahiri ka thënë se Komuna me dy-tre aksione humanitare ka ndihmuar punëtorët e “Llamkosit” ndërsa për falimentimin e saj ka fajësuar politikat e gabuara të privatizimit dhe mosmbikqyrjen procesit të privatizimit nga Agjencia e Privatizimit.

“Janë 450 punëtorë që kanë mbetur pa paga. 4 milionë e 200 mijë euro ndaj kreditorëve, por politikat e gabuara të privatizimit, mos mbikëqyrja e agjencisë së privatizimit kanë qenë faktor të përbashkët që kanë shkaktuar falimentimin e saj”, ka thënë Tahiri.

“Kurdo që ndodh falimentimi, synimi është që të mbrojë interesat e kreditorëve. Fabrika është në gjendje të mirë, punëtorët janë aty dhe është e lehtë që për cilin do blerës që të riaktivizojë fabrikën. Makineria është aty. Për fat të keq si rrjedhojë e procesit gjyqësor asnjë blerës nuk merr asnjë obligim”, ka thënë veç të tjera ai.