Arbëri

Kryetari i Suharekës kërkon mobilizim kundër zjarrvënieve të qëllimshme

Bali Muharremaj, kryetari i Komunës së Suharekës, ka alarmuar për zjarrvënie të qëllimshme në disa zona të kësaj komune. Ndërsa Zyra për Informim duke përcjellë shqetësimin e kryetarit Muharremaj ka saktësuar se nga organet kompetente kërkohet që të jenë më syçelë në kapjen e dëmtuesve të pyjeve dhe zjarrvënësve të qëllimshëm.

Muharremaj të enjten përmes rrjeteve sociale ka theksuar se ka informata se “në disa zona të Komunës së Suharekës ka zjarrvënie të qëllimshme, ku me këtë rast po shkaktohen dëme të mëdha”, shkruan sot Koha Ditore.

“I apeloj komandantit të Policisë, zjarrfikësve, pylltarëve dhe institucioneve të tjera, që të kenë kujdes dhe të jenë syçelë ndaj dëmtuesve, duke qenë vigjilentë në zbatimin e ligjit”, ka shkruar Muharremaj.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që t’i raportojnë rastet e tilla.

“Është e rëndësishme që edhe qytetarët t’i njoftojnë organet përkatëse, duke i denoncuar të gjithë shkelësit para ligjit. Ambienti është jetik dhe ne duhet ta ruajmë atë”, është shprehur Muharremaj.

Ndërsa ZI, duke e shpërndarë porosinë e kryetarit ka theksuar se lidershipi komunal kërkon angazhim më të madh për ndalimin e rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme.