Arbëri

Opozita në Istog e akuzon Rugovën se në pozita publike po i rehaton militantët e LDK-së

Jehonë Haxhijaj nga Istogu ka pesë vjet që ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në drejtimin matematikë dhe ekonomi.

Por, as pas gjithë këtyre viteve, ajo nuk ka arritur të gjejë një vend pune.

Ajo tregon se disa herë ka aplikuar për punë kur janë hapur vende të lira nga komuna kryesisht në arsim, por pa rezultat, raporton KTV.

Haxhiaj, pas kësaj, kandidoi për asambliste, bashkë me AAK-në në këtë komunë.

Por, ajo akuzon kryetarin Haki Rugova se vend pune në komunën e Istogut mund të fitojnë vetëm militantë të partisë së tij, LDK-së.

Sipas Haxhijajt, punësimet partiake dhe pa kualifikim të duhur dëshmohen me rastin e punësimit të një të riu në Zyrën e Gjendjes Civile në Rakosh.

Se është pa përgatitje profesionale dhe vetëm me shkollë të mesme e pranon edhe i punësuari në këtë zyrë të gjendjes civile.

Por, ai mohon se u punësua, vetëm pse ishte përkrahës i LDK-së, duke thënë se këtë pozitë e ka merituar.

Kurse, kryetari i kësaj komune, Haki Rugova, përmes telefonit, i ka mohuar këto akuza, derisa ka thënë se nuk dëshiron të deklarohet për to fare.