Qytetarët shpresojnë se në të ardhmen të ndodhë bashkimi i Mitrovicës Foto: Koha / ilustrim

Qytetarët shpresojnë se në të ardhmen të ndodhë bashkimi i Mitrovicës

18 February 2019 15:44

Nisma e qytetarëve të Komunës së Mitrovicës së Jugut për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, e iniciuar nga kryetari Agim Bahtiri, po shihet si dëshirë e secilit në këtë qytet.

Sipas tyre, ndonëse bashkimi i qytetit është çështje shumë komplekse, nuk është e pamundur, por do kohë.

Zenel Ibrahimi, qytetar nga Mitrovica, shprehet skeptik se një gjë e tillë mund të ndodhë menjëherë, mirëpo në një të ardhme thotë se është e mundur. Sipas tij, dëshira e kryetarit Bahtiri është e madhe për ta bashkuar qytetin, por çështja është komplekse.

“Çështja e bashkimit të Mitrovicës është çështje shumë komplekse dhe personalisht mendoj se është shumë vështirë. Ndoshta për një kohë më të gjatë sepse për momentin jam skeptik. Agim Bahtiri si kryetar i komunës ka një vullnet të madh për ta bashkuar Mitrovicën, mirëpo unë prapë po them se bashkimi i Mitrovicës është shumë komplekse kështu që këtë çështje ia lëmë kohës”, ka thënë Ibrahimi.

Hakif Zeqiri, ka bërë të ditur se bashkimi i Mitrovicës varet nga shumë faktorë, në rend të parë nga faktori ndërkombëtar. Ai ka potencuar se nëse faktori ndërkombëtar arrin t’i unifikojë liderët politikë shqiptarë e serbë, atëherë bashkimi i qytetit është i thjeshtë.

“Dëshirë e çdo shqiptari është që të bashkohet Mitrovica, sepse ka qenë e bashkuar. Edhe bota po shkon në rrugë që të bashkohet, atëherë pse të mos bashkohet edhe Mitrovica. A do të bashkohet apo jo, mendoj se ndikojnë shumë faktorë, në rend të parë faktori ndërkombëtar, sepse nëse faktori ndërkombëtar arrin t’i unifikojë liderët politikë si nga ana shqiptare edhe ajo serbe, atëherë bashkimi është i thjeshtë…Në politikë nuk ka datë, mirëpo kur punohet në atë drejtim atëherë arrihet, qysh u arrit pavarësia, kur dikush dikur e mendonte këtë ditë vetëm ëndërr”, tha Zeqiri.

Ndërkaq, Nazmi Ismajli, ka përjashtuar faktorin ndërkombëtar, duke thënë se ky është problem mes dy komunave dhe nëse ato bashkëpunojnë ngushtë mes vete në këtë drejtim, marrëveshja mund të arrihet më shpejt. Ai u shpreh skeptik sa i përket deklaratave të kryetarit Bahtiri për bashkimin e qytetit.

“Është problem bashkimi i Mitrovicës, sepse duhet me u pajtuar edhe një pjesë e serbëve në veri…Vërtet kur e dëgjoj Agim Bahtirin, them se kjo punë do të kryhet brenda dy orëve, por unë jam skeptik për këtë punë… Më shumë është një problem i dy komunave, qysh e shoh unë, në bashkëpunim mes dy komunave mund të arrihet marrëveshja më shpejt”, sqaroi Ismajli.

Ndryshe, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë një prononcimi për KosovaPress, ka përsëritur mendimin e tij se bashkimi i qytetit të Mitrovicës do të ndodhë këtë vit, dhe atë duke përfshirë edhe fshatrat shqiptare që ndodhen në zona të thella të komunës së Leposaviqit.

“Unë po ju garantoj juve të gjithëve, pavarësisht nëse dikush e dëshiron apo jo… Bashkimi i qytetit do të ndodhë sivjet, deri tek ato tre fshatrat ku isha sot Koshtovë, Bistricë dhe Cerajë”, ka thënë Bahtiri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme