Burimi i “tharbur” i Gushafcit Foto: Koha

Burimi i “tharbur” i Gushafcit

Ilir Osmanaj 17 shkurt 2019 11:22

Një lëndinë e bukur buzë Lumëbardhit, prapa Manastirit të Deçanit, me disa burime natyrore të ujit të thartë në mes, me plot pisha përreth... një panoramë e mbetur në kujtesën e atyre që me dekada kanë frekuentuar dhe kanë kaluar pushimet në periudhën e paraluftës, në atë vend të cilin deçanasit e quajnë Gushafc.

Nga ajo bukuri e dikurshme sot nuk ka mbetur asgjë, përveç burimit të ujit në një hapësirë me dukje krejt primitive si një vend i pashkelur dhe i paprekur nga njeriu. Ato ish-lëndina të bukura sot janë mbuluar me shkurre e drurë.

Afër burimit shihet një kanape e vjetër e mbetur dhe buzë saj një ulëse e improvizuar nga druri. Asgjë nuk kujton në ditët kur hapësirat rreth atij burimi të ujit mineral mbusheshin me qindra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës për shkak të ujit shërues për disa sëmundje dhe pishave për ata që kishin probleme me frymëmarrjen, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe shkuarja deri te ai burim sot është mjaft e vështirë. Te dy rrugët e shtruara me zhavorr nga KFOR-i para pesë vjetësh, njëra që ndahet nga rruga që shpie për në Bjeshkët e Belegut dhe tjetra nga ana tjetër nga rruga kryesore në hyrje të Deçanit nga Peja, janë të ngushta, tepër të shkatërruara dhe shumë vështirë të kalueshme me makina që nuk janë për terrene të vështira.

Pamjet e hapësirave të papastruara dhe të parregulluara janë dëshpëruese për ata që dikur i kalonin edhe pushimet gjatë verës pranë atij burim, në tendat apo çadrat e ngritura në lëndinat e dikurshme përreth këtij burimi.

E njëri prej tyre është edhe 70-vjeçari Zeqiria Imami nga Peja. Pamjet që i shfaqen sot para syve e tmerrojnë atë.

“Tash, një ditë kam qenë me pa atë vend dhe jam befasuar se si ishte bërë ai vend. Sikur të mos ishte i njëjti vend ku ne kemi kaluar pushimet dikur. Tash ishin mbushur me drurë, shkurre e mbeturina... a dini çfarë bukurie ka qenë aty? Tash mos vet si ishte bërë”, shpreh dëshpërimin e tij Imami për dukjen e Gushafcit, duke e përshkruar me fjalë pamjen e dikurshme dhe qejfin që e kanë bërë te ai burim. Ai tregon se përpara nuk kanë shkuar atyre dy rrugëve deri te burimi që janë sot, por, siç tregon ai, rruga ka qenë skaj Kishës ku ka qenë edhe pishina.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme