Në Mitrovicë mbahet akademi përkujtimore për dëshmorët Adem dhe Bislim Trepça

Në Mitrovicë mbahet akademi përkujtimore për dëshmorët Adem dhe Bislim Trepça

16 shkurt 2019 17:22

Sot në Qendrën e Kulturës "Rexhep Mitrovica", buzë lumit Ibër u mbajt akademi përkujtimore, me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, Adem Trepça dhe Bislim Trepça, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë akademi përkujtimore ishin të pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari, Faruk Mujka, gjeneral-major, Zymer Halimi, zv/ministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa, zv/ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka, pjesëtarë të FSK-së, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, familjarë të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta si dhe shumë qytetarë të tjerë.

I pari i cili mori fjalën në këtë akademi ishte kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i cili tha se është mirë që po organizohen tubime të këtilla përkujtimore përmes të cilave kujtojmë kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë dëshmorët tanë në luftën dhe çlirimin e atdheut.

"Sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dëshmorët të cilët dhanë gjakun e tyre për të shtrenjtën liri. Këta trima por edhe shumë të tjerë që nuk janë në mesin tonë, meritojnë respektin më të madh dhe duhet të përkulemi para tyre, sepse ishin këta heronj që morën pushkën për t'i dalë zot atdheut dhe për të na e sjellë lirinë tonë. Falë gjakut të dëshmorëve por edhe të miqve tanë ndërkombëtarë ne sot e kemi një shtet të pavarur, një liri të cilën më parë se kishim, andaj sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar për të mirën e vendit dhe për të dërguar në vend amanetin e dëshmorëve", ka thënë Bahtiri.

Ai më tutje ka shtuar se Mitrovica është ndarë padrejtësisht por shumë shpejt do të bashkohet në një qytet të vetëm.

Në këtë akademi fjalën e mori edhe historiani, Miftar Kurti, i cili në fjalën e tij shtoi se meqë jemi në prag të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës duhet ta dimë se pa gjakun e dëshmorëve nuk do të kishim as lirinë e as pavarësinë, prandaj dëshmorët janë nderi dhe krenaria e atdheut.

Kjo akademi përkujtimore është organizuar nën patronatin e kryetarit, Agim Bahtiri, ndërsa pas përfundimit të saj në lagjen "Trepçali", është bërë zbulimi i lapidarit për këta dy dëshmorë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme