Let’s Do It pastron Plemetinin, nis mbjellja e fidanëve për park

Let’s Do It pastron Plemetinin, nis mbjellja e fidanëve për park

13 shkurt 2019 16:04

Let’s Do It ka realizuar sot aksion pastrimi në Plemetin të Obiliqit, nga ku vullnetarët kanë larguar dhjetëra thasë me mbeturina nga deponi ilegale, derisa puna më e madhe aty është kryer me makineri.

Aksioni i sotëm u realizua në kuadër të projektit “Let's Green It”, i cili financohet nga Zyra e BE-së në Kosovë, mbështetet nga Balkan Green Foundatin dhe INDEP, ndërsa implementohet nga Let’s Do It.

Aksioni i nisur mëngjesin e sotëm do të vazhdojë deri në largimin e tërësishëm të mbetjeve në lokacionet e përcaktuara.

Përveç pastrimit, aktiviteti i sotëm vazhdoi me mbjelljen e fidanëve, meqë synim kryesor është që ajo zonë të shndërrohet në hapësirë të gjelbëruar, ku do të vendosen edhe shporta për hedhjen e mbeturinave.

Në aksionin e sotëm, Let’s Do It u bëri thirrje institucioneve që të shpeshtojnë veprimtaritë e tyre në hapësirat e banuara nga Komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian, me qëllim të krijimit të një mjedisi sa më të pastër dhe më të sigurt për të jetuar.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka shprehur shqetësimin e tij për ndotjen e vazhdueshme të hapësirave përreth ndërtesave ku jetojnë banorët e komuniteteve pakicë.

Ai ka bërë thirrje për sa më shumë aktivitete dhe angazhim të përbashkët edhe me institucione, me qëllim të ngritjes të vetëdijes së banorëve për mirëmbajtjen e hapësirave.

“Jemi në Plemettin për të disatën herë fatkeqësisht, brenda një periudhe 12 mujore. Ne po duam ta shfrytëzojmë këtë aksion, që në radhë të parë t’i themi komunitetit që kështu nuk shkon, dhe se është shumë keq sepse nuk po arrijnë ta mbrojnë mjedisin e pastër në radhë të parë vetë si banorë. Ne e kuptojmë qe edhe institucionet kanë rolin e tyre duhet të bëjnë më shumë mirëpo me banorët kemi shumë herë dhe prapë vazhdon situata kështu si është”, ka thënë Hasanaj, i cili tutje ka falendëruar Komunën e Obiliqit dhe organizatat që po ndihmojnë për gjelbërimin e këtyre hapësirave.

Edhe Drejtoresha për Ruajtje të Mjedisit në Komunën e Obiliqit, Fitore Hashani, tha se qytetarët e këtij komuniteti duhet të vetëdijesohen për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit të pastër.

“Kemi vendos me ndërrua komplet pamjet e këtij lokacioni, është aksioni i katërt që jemi këtu për këtë vit në Plemetin. Përpos pastrimit kemi me mbjell edhe fidane të reja po ashtu shumë shpejtë me pranverë do të jetë trajtimi i krejt zonës me një park, do të jetë park qe do të këtë pastërti dhe gjelbërimin. Shpresojmë në vetëdijesim të qytetarëve të komunitetit”, ka thënë Hashani.

Let’s Do It njofton se do të vazhdojë aktivitetet me banorë të komuniteteve pakicë në Kosovë, me qëllim të krijimit të hapësirave sa më të pastra dhe të gjelbëruara përreth hapësirave ku jetojnë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme