Rinovimi e lë të mbyllur tash dy muaj Qendrën e Mjekësisë Familjare në Ponoshec të Gjakovës

Rinovimi e lë të mbyllur tash dy muaj Qendrën e Mjekësisë Familjare në Ponoshec të Gjakovës

11 February 2019 21:02

Kjo Qendër e Mjekësisë Familjare në Ponoshec të Gjakovës, ka 2 muaj që po qëndron e mbyllur.

Për shkak të rinovimit të saj, banorët e fshatit detyrohen që trajtimin mjekësor ta marrin në fshatra dhe qytete të tjera, raporton KTV.

Banorët thonë se rinovimi ka filluar në sezonin e verës, por që pastaj është rihapur dhe që nga nëntori i 2018-s punimet kanë filluar sërish dhe po vazhdon të qëndrojë e mbyllur.

Në këtë qendër, shërbime mjekësore marrin banorë nga rreth 30 fshatra të komunës së Gjakovës.

E banorët e këtij fshati thonë se e kanë të vështirë që të shkojnë në Gjakovë ose në Junik për ndonjë shërbim mjekësor.

Përfaqësuesi i fshatit thotë se ka drejtuar ankesa në drejtorinë e shëndetësisë në komunën e Gjakovës, por që arsyetimi i vetëm është se punimet po vonohen, shkaku i motit.

Në Komunën e Gjakovës kanë thënë se punimet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Ponoshec, do të përfundojnë gjatë kësaj jave.

Qendra e Mjekësisë Familjare në këtë fshat, është ndërtuar me mjete të banorëve të fshatit para luftës së fundit në Kosovë.

Edhe në fshatin Cërmjan edhe Skivjan, Qendrat e Mjekësisë Familjare janë të mbyllura, për shkak të rinovimeve që Komuna e Gjakovës është duke i bërë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme