Arbëri

Malisheva vendos kamera vëzhguese të sigurisë, opozitari kërkon respektimin e privatësisë

Komuna e Malishevës të premten ka njoftuar se pjesa e qytetit dhe hyrje daljet në të janë nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë.

Përderisa zyrtarët komunalë dhe ata të organeve të rendit kanë vlerësuar realizimin e këtij projekti, në anën tjetër përfaqësues nga radhët e opozitës kanë kërkuar që lidhur me këtë çështje të zbatohen standardet e vendosura nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale, raporton “Koha Ditore”.

Zyra komunale për informim ka njoftuar se projekti është realizuar nga ana e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës përkatësisht Stacionin policor në Malishevë.

“Realizimi i këtij projekti, besoj që do të ndihmoj edhe punën e policisë në mbajtjen e rendit dhe sigurisë në qytet, si dhe organeve komunale, për menaxhimin e situatave të ndryshme të emergjencave”, ka thënë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me rastin e përurimit të video kamerave dhe tërë projektit.

Sipas njoftimit të ZI-së, komandanti i Stacionit policor në Malishevë, kapiteni Hazir Berisha, ka vlerësuar këtë projekt të Komunës së Malishevës, pasi sipas tij, “kjo do të ndihmoj edhe policinë në menaxhimin dhe vëzhgimin e situatave të ndryshme, që lidhen me sigurinë”.

Menaxheri i projektit, Halit Mazreku, ka bërë të ditur se ky projekt ka kushtuar rreth 30 mijë euro. “Qëllimi i projektit është shumë dimensional, duke filluar nga ngritja e nivelit të sigurisë së përgjithshme të qytetarëve dhe pasurisë së tyre, preventiva, zbulimi i shpejt i rasteve të veprave të ndryshme penale, pastaj ndihmon edhe sistemin e drejtësisë në procedimin më të shpejtë të lëndëve të ndryshme”, është shprehur ai.

Lidhur me këtë çështje, këshilltari i KK-së së Malishevës nga radhët e LVV-së opozitare, Alban Krasniqi në rrjetet sociale ka shprehur qëndrimin se siguria e qytetarëve dhe ruajtja e pasurisë publike dhe private ka rëndësi, dhe se për këtë arsye, sipas tij, vendosja e kamerave në qytezën e Malishevës duhet mirëpritur.

“Mirëpo, vendosja e tyre nuk është projekt infrastrukturor, pra sikur kur shtron asfalt apo kanalizim, por ka aspekte të tjera të rëndësishme, si privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale, menaxhimi i tyre, rregullativa”, ka shkruar Krasniqi. Sipas tij, me rëndësi është edhe integriteti i atyre që vëzhgojnë. “Pra, sa kredibile janë institucionet që zbatojnë një projekt të tillë, kur punojnë dhe kur nuk punojnë kamerat, siç ka ndodhë p.sh. tek vjedhja e dhomës së dëshmive, apo edhe në ca shkolla tonat, kush është përgjegjësi, cilat janë rregullat dhe procedurat”, ka shtruar dilemat ai, për të vijuar me pyetjen se kush jep përgjegjësi nëse dikush i përdorë ato kundër kundërshtarëve politik apo biznesor.

“Pra, si ruhet siguria e shumicës që nuk janë hajna por mund tu keqpërdoret privatësia nga autoritetet që vëzhgojnë. Rasti i përdhunimit serik i të miturës flet mjaft, sepse ka ndodhur pikërisht aty ku ka institucione pra ka edhe kamera. Ne e dimë se ende funksionon logjika kur shefi të jep urdhër përcille këtë, shlyeje atë, fiki kamerat kjo edhe ndodhë. Aktualisht nuk e di nëse aty ku janë vendosur kamerat janë vendosur gjithashtu shenjat që tregojnë se aty ka kamerë sigurie që është detyra fillestare, pastaj vendosja e tyre dhe këndi i xhirimit duhet të përputhen me qëllimin, sa mbesin të ruajtura xhirimet, kush sigurohet që ato shkatërrohen dhe nuk ruhen pas afatit të përcaktuar me ligj...a ka procedura”, është shprehur Krasniqi. Ai ka vlerësuar se Komuna dhe Policia duhet të sigurohen që “mos të fillojnë marrjen e asnjë videoxhirimi pa i përmbushur standardet e vendosura nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale”.