Arbëri

Kolegjiumi i Drejtorëve në Obiliq kërkon të ndalet greva në arsim

Descriptive Text

Kolegjiumi i Drejtorëve në Obiliq ka kërkuar që procesi mësimor në këtë komunë të nisë, dhe të ndërpritet greva e mësimdhënësve, pasi sipas tyre kjo po ua mohon nxënësve një të drejtë elementare, atë të arsimimit.

“Nxënës të dashur, prindër dhe mësimdhënës të nderuar, jemi tej mase të brengosur për situatën aktuale të procesit edukativo-arsimor në Republikën e Kosovës , e posaçërisht jemi të brengosur për një gjendje të tillë në Komunën e Obiliqit, përkatësisht po hyjmë në javën e pestë që nxënësit nuk e vijojnë mësimin, dy javët e para të planifikuara sipas kalendarit shkollor 2018/2019 ishin pushim dimëror, kurse tani po hyjmë në javën e tretë, ku mësimi nuk po mbahet për shkak të grevës së mësimdhënësve”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Ky Kolegjium thotë se me këtë grevë po shkelen të drejtat elementare të fëmijëve.

të dashur, prindër dhe mësimdhënës të nderuar, ne drejtorët e shkollave, përkatësisht institucioneve arsimore, të cilat konsiderohen truri i kombit dhe atdheut, kemi shqetësim dhe jemi të brengosur se janë duke u shkelur të drejtat elementare të fëmijëve për shkollim, të parapara sipas konventave ndërkombëtare, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe infrastrukturës tjetër ligjore në Republikën e Kosovës për këtë lëmi”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se duke u bazuar në Ligjin e Arsimit Parauniversitar Nr.04/L-032, përkatësisht në Parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar Neni 3, par. 1 dhe par.2 (citojmë):

1. Asnjë personi nuk guxon t’i mohohet e drejta për arsimim.

2. Arsimi parauniversitar është përgjegjësi e përbashkët e prindërve, institucioneve arsimore dhe aftësuese, komunave dhe qeverisë”. (mbarim citati).

Kolegjiumi i drejtorëve të shkollave në Komunën e Obiliqit, konform përgjegjësisë që e kanë si drejtues të institucioneve arsimore dhe përgjegjësive konform ligjit Nr.04/L-032, par.2., kanë zhvilluar aktivitete të vazhdueshme, për të krijuar kushte që fëmijët përkatësisht nxënësit ta realizojnë një të drejtë elementare sipas Ligjit Nr.04/L-032, par.1, të drejtën për arsimim.

“Për këtë qëllim ne si Kolegjium i Drejtorëve, kemi zhvilluar takime me të gjitha organet dhe akterët relevant në Komunën e Obiliqit, të cilët mund të ndihmojnë për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë. Në vazhdën e këtyre aktiviteteve kemi biseduar me kryetarin e Komunës, drejtorin e DKA-së, Këshillat drejtues të shkollave dhe me përfaqësues të shoqatave sindikale të shkollave, dhe fatkeqësisht nuk arritëm për të krijuar kushte elementare për realizimin e një të drejte të garantuar të fëmijëve, atë për arsimim”, thuhet në komunikatë.

Në vazhdën e aktiviteteve të Kolegjiumit të drejtorëve të komunës së Obiliqit u realizuan për tri ditë radhazi me datë 25, 26, dhe 27 janar 2019, takime më prindërit të të gjitha shkollave dhe të gjitha lokaliteteve të Komunës së Obiliqit, konform përgjegjësive sipas Ligjit 04/L-032, par. 2.

Nga takimet e realizuara me prindër, Kolegjiumi thotë se, mund konstatojmë se:

• 90 % të pjesëmarrësve në të gjitha takimet me prindër kishin qëndrim se:

1. I përkrahin kërkesat e të gjithë të të punësuarve në shkolla, sa i takon aspektit të rangimit në Ligjin e pagave.

2. Kërkojnë që menjëherë, mësimdhënësit t’i kthehen procesit edukativo arsimor, kurse grevën ta zhvillojnë në ndonjë formë tjetër.

• 5 % të pjesëmarrësve në të gjitha takimet me prindër kishin qëndrim se:

1. Nuk i përkrahin kërkesat e mësimdhënësve të shkollave, sa i takon aspektit material, përkatësisht pagës.

2. Kërkojnë që mësimi të fillojë sa më parë dhe mësimdhënësit për ditët që nuk kanë mbajtur mësim mos të kompensohen materialisht.

• 5 % të pjesëmarrësve në të gjitha takimet me prindër, kishin qëndrim se;

1. I përkrahin kërkesat, e të gjithë të punësuarve në shkolla, sa i takon aspektit material, përkatësisht pagës.

2. E përkrahin grevën dhe kërkojnë që greva të vazhdojë .

Nga krejt këto përpjekje dhe angazhime, Kolegjiumi i drejtorëve të shkollave apelon që:

SBASHK-u, të reflektojë t’i jepet rast dialogut dhe të ndërpritet greva, përkatësisht, mësimdhënësit t’i kthehen procesit edukativo- arsimor, kurse një kërkesë të tyre të arsyeshme dhe të merituar për aspektin material, një të drejtë të tyre të garantuar për grevë, të përpiqen ta realizojnë në ndonjë formë tjetër, duke mos e dëmtuar një të drejtë elementare të fëmijëve, të drejtën për arsimim.

Poashtu gjithsesi apelojmë që të reflektojnë edhe institucionet qendrore (duke e përfshirë edhe Kuvendin), nëse lejojnë mundësitë buxhetore të dialogojnë me SBASHK-un, lidhur me kërkesat e tyre.