Arbëri

Angazhohen tre inspektorë për ndalimin e operimit të taksive ilegale në Gjilan

Komuna e Gjilanit do të implementojë planin për ndalimin e operimit të taksive ilegale, dhe për këtë aksion do të angazhojë tre inspektorë komunalë të cilët do të asistohen nga pjesëtarë të policisë.

Inspektorët do të konfiskojnë automjetet e atyre të cilët bartin udhëtarë pa licencë të operimit. Është kërkuar nga qytetarët që të mos udhëtojnë me taksi ilegale, ngase do të detyrohen që të zbresin në rrugë në momentin që ndalohen. Këtë vendim të Komunës e ka mirëpritur shoqata e transportuesve të udhëtarëve “Anamorava” të cilët kanë deklaruar se është përmbushur një kusht i tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Shoqata ka kërcënuar se do të organizojë grevë në transportin e udhëtarëve në rast se Komuna nuk merr masa në ndalimin e operimit të taksive ilegale. Ata vlerësojnë se është çrregulluar sistemi i transportit si pasojë e mospengimit të taksive ilegale dhe si pasojë palë e dëmtuar janë kompanitë e licencuara të transportit të udhëtarëve. Mirëpo nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, deklaron se të enjten do të fillojë aksioni me të cilin synojnë që të vendosin rend në transport dhe se tashmë janë koordinuar edhe me institucionet e tjera relevante.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)