Nga nesër, Gjilani ndalon taksitë ilegalë Foto: Koha / ilustrim

Nga nesër, Gjilani ndalon taksitë ilegalë

23 janar 2019 14:05

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Gjilan, përkatësisht Njësinë e Trafikut Rrugor, kanë bërë planin operativ për ndalimin e operimit të taksive ilegalë.

Lajmi u bë i ditur sot në takimin që nënkryetari Arbër Ismajli pati me komandantin e Stacionit Policor, Alban Ramushi, komandantin e Njësitit Regjional të Trafikut Rrugor, Ismajl Fejzullahu drejtorët komunalë, Naser Korça, Nevzad Rushiti e Bekim Bajrami, sikurse edhe kryeshefin e ndërmarrjes Stacioni i Autobusëve, Avni Hajrullahu.

Pas takimit, nënkryetari Ismajli ka konfirmuar se plani operativ do të fillojë së implementuari nga nesër, ndërkaq u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë me taksi ilegalë për shkakun se në vazhdimësi inspektorët komunalë, të asistuar nga Policia, do të kontrollojnë për leje të operimit dhe në momentin që hasin në taksi ilegal, detyrohen që të gjithë të zbresin kudo që ndalen.

Në takim u tha se Komuna po punon në ndërtimin e vendkalimeve për autobusët dhe taksitë, ndërkaq u bëhet thirrje kompanive të transportit që të respektojnë oraret e nisjes, duke u peronizuar me kohë në Stacionin e Autobusëve.

Përfaqësuesit e Policisë në Gjilan kanë shfaqur gatishmërinë e ofrimit të mbështetjes në çdo kohë për Komunën e Gjilanit për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët. ​

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme