Arbëri

Vetëvendosje akuzon qeverisjen lokale për keqmenaxhim në arsim

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Lipjan, nëpërmjet një konference për medie, të premten, ka akuzuar Ekzekutivin e komunës për keqmenaxhim me sektorin e arsimit, derisa po vazhdon punësimi partiak nëpër shkolla, klasë të mbingarkuara, gjendje jo e mirë e objekteve shkollore, mungesë laboratorësh e mungesë të mjeteve të konkretizimit.

Avni Jashari, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Lipjan, me këtë rast ka thënë se përdorimi i nocionit "cilësi në arsim" është prej atyre që tashmë janë bërë të zakonshme në deklarata e zotime, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, në secilin ndërrim pushtetesh e qeverisjes në Lipjan kanë marrë premtime e zotime për ngritje të cilësisë dhe përmirësim të gjendjes së arsimit, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Në pushtetin lokal të Lipjanit, të cilët erdhën me moton për të përmirësuar cilësinë e arsimit, për kushte të mira nëpër shkolla, laboratorë e mjete të konkretizimit, për largimin e partizimit të shkollave, por çfarë po shohim, është e kundërta: ka vazhduar punësimi partiak nëpër shkolla, klasë të mbingarkuara, gjendje jo e mirë e shkollave, mungesë laboratorësh e mungesë të mjeteve të konkretizimit. Është evidente që një degradim i tillë paraprihet nga një sërë dukurish të cilat fatkeqësisht duket se po marrin për teposhtë çdo dite e më shumë. E vullneti për të bërë më shumë nga qeverisjet lokale qartazi është inekzistente”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, problemi i klasave të ngarkuara me nxënës mbetet një ndër problemet më të mëdha nëpër shkollat e Lipjanit, andaj, sipas tij, për dallim prej shkollave evropiane, e po ashtu në kundërshtim me normat e kurrikulës së sjellë rishtazi në sistemin arsimor të Kosovës, klasat e shkollave në Lipjan regjistrojnë prej 35 deri 45 nxënës. (Më gjerësisht, sot në Koha Ditore)