AVONET akuzon kryetarin e Kllokotit se e ka mbushur Komunën me të punësuar familjarë

AVONET akuzon kryetarin e Kllokotit se e ka mbushur Komunën me të punësuar familjarë

18 January 2019 17:28

Rrjeti i OJQ-ve AVONET, përmes një komunikate për media, thotë se është thellësisht i shqetësuar se si “institucionet e Komunës së Kllokotit janë të mbushur nga familjarët e kryetarit të komunës Bozidar Dejanoviq”.

Sipas njoftimit për media të këtij rrjeti, institucionet e kësaj komune janë duke u ballafaquar me shumë probleme dhe sfida të mëdha, ku kryetari i kësaj komune nuk ka shpreh interesim që të bëjë zgjidhje dhe të menaxhojë sa më mirë këto situata.

“Shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Kllokotit kanë një numër të madh të punëtorëve teknikë, e këta punëtorë teknikë janë të afërt të kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozidar Dejanoviq. Por çka është më e keqja e kësaj dukurie këta punëtorë as që shkojnë për të kryer detyrat e tyre si punëtorë teknikë, ata veç marrin rroga dhe disa prej tyre as që jetojnë në Kosovë”, thuhet në reagimin e AVONET-it.

Sipas këtij rrjeti, “disa prej punëtorëve si mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme marrin rrogë nga buxheti i Republikës së Kosovës, e që nuk punojnë nëpër këto shkolla, por punojnë si mësimdhënës në shkollat me sistem paralel serb”.

“AVONET ka hulumtuar dhe ka vërtetuar se kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Kllokotit, Zharko Dejanoviq është vëllai i kryetarit të Komunës së Kllokotit, z. Bozidar Dejanoviq. Kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozidar Dejanoviç dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Kllokotit z. Zharko Dejanoviç, kanë punësuar gratë dhe fëmijët e tyre, e po ashtu edhe shumë familjar të tyre. Këto punësime për AVONET-in janë nepotizëm dhe nuk tregojnë demokraci në këto institucione, AVONET kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës, Njësisë për Krime Ekonomike dhe Prokurorisë së Shtetit dhe po ashtu Agjencionit Anti Korrupsion, që të fillojnë hetimet si dhe nga MAPL-ja të marrin masa ndaj këtij institucionit”, thuhet në njoftim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme