Arbëri

LDK: Qeverisja lokale po e devijon projektin e rrugës në Ferizaj

Subjekti më i madh opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj ka kritikuar Ekzekutivin e Komunës me arsyetimin se është devijuar projekti për asfaltimin e rrugës “Gursel e Bajram Sylejmani”.

Sipas opozitës ky projekt në vlerë prej rreth 350 mijë eurosh është projektuar dhe buxhetuar nga ish -qeverisja e kaluar me qëllim që të ndërtohej kjo rrugë me katër shirita dhe të ketë hapësirë për trotuar dhe për çiklistë, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh. Balton Dërguti, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, nëpërmjet një shkrese, ka thënë se projekti i rrugës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Ferizaj ka devijuar dhe nuk po realizohet sipas planit që ishte bërë nga ish- qeverisja e kaluar.

“Rruga ka qenë e planifikuar të ndërtohet me katër korsi dhe të ketë stazh për biçikleta dhe trotuare në të dy anët e rrugës, ndërsa ky projekt ka filluar të realizohej më ndryshe. Trotuaret janë ngushtuar dhe nuk kanë filluar të ndërtohen sipas projektit, sepse projekti tregon se trotuari kalon më afër objekteve në këtë rrugë, mirëpo disa persona i kanë bërë presion Komunës dhe trotuari po ndërtohet 2 metra më larg se ku ishte i planifikuar. Prandaj ne kërkojmë nga komuna që të mos ndikohet nga presionet dhe të rrezikohet projekti me katër korsi, por të punohet sipas projektit, i cili parasheh hapësirë më të gjerë për këmbësorë dhe për çiklistë”, thuhet në reagimin e Dërgutit.

(Detajet mund t’i lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)