Arbëri

Kaçaniku nuk lëshon leje ndërtimi, 2 mijë parcela private ishin shndërruar në prona shoqërore

Qytetarë dhe kompani ndërtuese në Kaçanik ankohen se nuk mund të marrin leje ndërtimi në këtë Komunë.

Pavarësisht se kanë kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë, Komuna nuk ka bërë ende zgjidhje.

Bashkim Topojani, përfaqësues i një kompanie që merret me ndërtime të larta, ka thënë se deri para dy vjetësh ka ndërtuar disa objekte në këtë qytet, mirëpo prej më shumë se një viti, komuna i ka bllokuar lejet ndërtimore.

Ai shpjegon se pronën e tij e ka të trashëguar para 100 vjetësh nga familjarët.

Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se s’ka lënë asnjë derë të institucioneve pa trokitur, mirëpo deri tash nuk ka mundur të gjejë zgjidhje.

Ilazi ka thënë se nuk mund të japë asnjë leje për ndërtim, derisa të shfuqizohet vendimi i viteve të 80-ta i ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.