Arbëri

Universiteti i Prizrenit anulon vendimin për zgjedhjen e rektorit

Këshilli Drejtues i universitetit “Ukshin Hoti” ka njoftuar Gjykatën Themelore të Prizrenit lidhur me vendimin për anulimin e zgjedhjes së rektorit të këtij universiteti.

Por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga gjyqësori lidhur me këtë çështje, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë, zyrtarët e Gjykatës Themelore kanë bërë të ditur se lënda përkatëse aktualisht është në Gjykatën e Apelit për shkak të një ankese, dhe se pas kthimit nga shkalla e dytë do të caktohet seanca e radhës.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Bedri Muhadri, ka pohuar se organet e këtij universiteti kanë njoftuar Gjykatën në Prizren se “vendimi i datës 22 maj 2018 për zgjedhjen e rektorit të universitetit ‘Ukshin Hoti’ në Prizren është anuluar në mbledhjen e Këshillit Drejtues të UPZ-së, të mbajtur më datë 21 dhjetor 2018”.

“E kemi dorëzuar njoftimin në Gjykatën Themelore në Prizren. Nuk kemi pranuar ende ndonjë përgjigje prej Gjykatës rreth kësaj çështjeje. Presim që Gjykata ta marrë parasysh këtë fakt, sepse ne e kemi anuluar vendimin për zgjedhjen e rektorit”, ka thënë Muhadri. Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.