Ulen çmimet për dy lloje certifikatash, në Klinë Foto: Koha / ilustrim

Ulen çmimet për dy lloje certifikatash, në Klinë

23 December 2018 12:08

Komuna e Klinës, ka paraparë zbritjen e çmimit për dy lloje të certifikatave me draftrregulloren e re për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, e cila është në proces dhe në takimin e ardhshëm të Kuvendit Komunal pritet të miratohet.

Drejtori i Financave, Aziz Desku, ka treguar se në këtë rast bëhet fjalë për certifikatën e statusit martesor, e cila sipas tij do të pësojnë zbritje prej 5 eurosh sa ishte deri tash, në 3 euro. Kurse certifikata tjetër, për të cilën qytetarët në të ardhmen do të paguajnë më lirë, sipas Deskut është ajo e bashkësisë familjare, çmimi i të cilës nga 3 euro do të bie në 1 euro.

“Ka qenë kërkesë e qytetarëve e iniciuar përmes një këshilltari të Kuvendit Komunal, i cili e ka paraqitë atë kërkesë në takimin e kuvendit në muajin korrik. Dhe pastaj është marrë vendimi që të bëhen disa plotësime e ndryshime të kësaj rregulloreje dhe kemi bërë këtë draft të propozuar. Në këtë rregullore ka edhe ndryshime të tjera, por ndryshimet për pagesa të këtyre dy certifikatave ka qenë njëra prej tyre”, ka theksuar Desku, sipas të cilit, pasi të miratohet në Kuvend, ajo do të hyjë në fuqi nga një janari i vitet të ri.

Në tri komunat e tjera të këtij rajoni dallojnë çmimet për këto dy certifikata. Kështu në Komunën e Pejës certifikata për statusin martesor kushton 3 euro, kurse për bashkësinë familjare 5 euro, siç tha një zyrtare në sportelin e Ofiqarisë në Pejës. Për çmimin për certifikatën e bashkësisë familjare, që është 5 euro, drejtori i Financave, Jeton Abazaj, ka paralajmëruar se do të ulët në 3 euro me plotësimndryshimin e rregullores për taksa e tarifa, që është në proces.

Në Komunën e Istogut, siç tregoi shefi i ofiqarisë, Selmon Blakaj, për certifikatën e statusit martesor qytetarët duhet të paguajnë 4 euro, kurse për atë të bashkësisë familjare 2 euro.

Për dallim të tria komunave, në Komunën e Deçanit, pagesat për këto dy lloje të certifikatave janë më të lira. Sipas zëdhënëses së kësaj Komune, Yllarta Thaçi, certifikata për statusin martesor kushton 3 euro, kurse ajo për gjendjen familjare vetëm një 1 euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme