Arbëri

Shurdhmemecët duan mbështetje nga Komuna e Ferizajt

Descriptive Text

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi së bashku me stafin e saj dhe me disa drejtorë dhe zyrtarë nga kabineti i kryetarit gjatë një vizite në Shoqatën e Shurdhmemecëve në Ferizajt, të premten, u kanë premtuar se me rregulloren e re e cila pritet të miratohet në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës është e përfshirë mbështetja e kësaj kategorie, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Premtojmë dhe zotohem për një mbështetje më të madhe për këtë kategori, ndaj nëpërmjet një rregulloreje të re e cila u dedikohet personave me aftësi të kufizuara, e cila pritet të miratohet në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës, janë të përfshira edhe kjo kategori”, ka thënë kryesuesja Bytyçi. Ajo gjithashtu ka premtuar se do të bisedojnë edhe me zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në mënyrë që të diskutohen edhe për pensionet invalidore, të cilat gjatë periudhës së fundit kohore i janë ndërprerë.

Nga ana tjetër Naser Maliqi, kryetar i Shoqatës së Shurdhmemecëve në Ferizaj, është shprehur se problem kryesor përveç kushteve të rënda të jetës së kësaj kategorie është edhe ndalja e pensioneve invalidore që po bëhet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Në Komunën e Ferizajt, janë rreth 180 persona shurdhmemec. Andaj kërkojmë nga drejtuesit e qeverisjes lokale në Ferizaj që të bisedojnë me nivelin qendror, në mënyrë që ta marrim një mbështetje dhe një në ndihmë për këtë kategori”, ka thënë ai.