Arbëri

Tre të arrestuar për kundërshtim të punimeve të deponisë

Tre banorë të fshatit Berivojcë në Komunën e Kamenicës kanë përfunduar në pranga pasi kundërshtuan fillimin e punimeve të planifikuara nga Komuna për hapjen e deponisë për mbeturinat e ngurta në fshatin e tyre.

Banorët shprehen se do të vazhdojnë të protestojnë ngase ata druajnë se pronat e tyre, të cilat kufizohen me lokacionin e mbeturinave do të ndoten, shkruan sot Koha Ditore.

Ata thonë se komuna nuk ka zhvilluar debat me banorët dhe se nuk ishin të informuar se në fshatin e tyre ishte caktuar lokacion për mbeturinat e ngurta. Kurse komuna ka ndërprerë përkohësisht punimet me qëllim qetësimin e banorëve.

Kryetari i fshatit Berivojcë, Xhevat Kastrati, deklaron se tre banorët janë arrestuar dhe një banor tjetër është lënduar pasi kishin kundërshtuar fillimin e punimeve për deponinë.

“Fshatarët nuk janë të mendimit që të lejojnë hapjen e deponisë dhe kemi pasur një protestë dje. Ndërkohë janë arrestuar tre banorë dhe një është i lënduar, sepse është përplasur në tokë dhe është lënduar pak. Kundërshtojnë sepse mbeturinat të cilat do të derdhen në atë lokacion janë afër puseve, të cilat i kanë hapur banorët, gjithashtu janë afër edhe kullosat dhe i kanë bletët. Kemi kundërshtuar, mirëpo fjala jonë ka shku në vesh të shurdhër dhe nuk e kanë dëgjuar dhe dje i kanë qit makinerinë me punu, kurse mbasi që ka ndodhur rasti nuk kanë dashur të dalin me punu”, ka thënë ai. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)