Gjakova bëhet me treg festiv

Gjakova bëhet me treg festiv

14 December 2018 21:05

Qyteti i Gjakovës për herë të parë ka hapur tregun festiv në parkun e qytetit, për nder të festave të fundvitit.

Përkundër shiut të madh, shumë qytetarë kishin dalë për të përjetuar hapjen e këtij tregu festiv.

I pari i këtij qyteti, Adrian Gjini u shpreh i lumtur me hapjen e këtij tregu, duke e cilësuar si të parin në Gjakovë. Sipas tij, tashmë qytetarët e Gjakovës pas një viti plotë me sfida, e meritojnë të festojnë në prag të fundvitit.

“Shiun nuk e kem aleat sonte, por ndalet. Netëve tjera do të bëhet shumë mirë. E kemi pas një vit plotë me sfida, tash e kemi nja dy javë para vitit të ri, me mbas që me festuar. Duam me kaluar kohë të mirë të gjithë ne. I ftoj të gjithë qytetarët që me dalë këtu me festuar, me bërë këtë vend të gjallë, në të njëjtën kohë, i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të vijnë në Gjakovë”, tha Gjini.

Kryetari i Gjakovës, ndër të tjera i uroi dhe qytetarët e Gjakovës për formimin e Ushtrisë, duke e cilësuar qytetin që ai udhëheq si njërin ndër qytetet që ka dhënë më së shumti për Kosovën.

“Para se me ndez pishën, dua të ju them të gjithëve urime Ushtria e Kosovës! Urime Gjakovë! Nuk besoj që e meriton ndokush më shumë se Gjakova, me gjithë ata ushtarë dhe viktima të luftës. Sot është njëra ndër ditët më të gëzueshme për Kosovën”, deklaroi ai.

Ndërsa, qytetarët që kishin dalë për të festuar hapjen e këtij tregu, theksuan nevojën që qyteti i Gjakovës ka pasur për këtë.

Sipas, banorit të kësaj komune, Ismet Thaçi ky investim është i qëlluar, pasi Gjakova asnjëherë nuk ka pasur gjëra të tilla, transmeton kp.

“Kryetari ka punuar jashtëzakonisht mirë. Është investim i qëlluar, viteve të mëparshme nuk ka pasur kësi lloj gjëra të bukura”, shtoi Thaçi.

Kurse, banori tjetër, Beatris Hasani përkundër se ishte i kënaqur me këtë iniciativë, ai theksoi nevojat tjera që ka ky qytet. Sipas tij, njëjtë duhet rregulluar dhe qendra e qytetit.

“Pak po, ama duhet dhe pak ma mirë, do investim. Qendër nuk kanë bërë asgjë, vetëm këtu në park është rregulluar, dhe në qendër të qytetit duhet”, ka përfunduar, Hasani.

Ky investim është bërë në bashkëpunim mes zyrës së kryetarit të Gjakovës dhe ministrisë së Kulturës. Gjithsej është investuar njëzet e një mijë euro.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme