Arbëri

Ferizaj e Lipjani shpenzojnë nga 10 mijë euro për dekorim të qytetit

Komuna e Ferizajt dhe ajo e Lipjanit kanë shpenzuar nga 10 mijë euro për dekorim të shesheve për festat e fund vitit.

Në Ferizaj për këtë fund vit janë përzgjedhur disa dizajnë të reja të dekorimeve ndërkohë që një pjesë e madhe e dekorimeve janë ruajtur edhe nga viti i kaluar të cilat janë në pronësi të komunës, shkruan Koha Ditore.

Arben Halili, drejtor i shërbimeve Publike në komunën e Ferizajt ka thënë se që nga viti i kaluar komuna i ka ruajtur disa dekorime dhe disa shtylla të metalit të cilat po shfrytëzohen edhe sivjet.

“Ndërkaq, për dizajnët e reja të dekorimeve jemi dakorduar me kohë që mos të shpenzojmë më shumë se 10 mijë eurosh. Pavarësisht kësaj, qyteti ka marrë një pamje të bukur si asnjëherë më parë sepse është ndriçuar sheshi i qytetit, hapësira para komunës së bashku me një bredh të madh dhe disa rrethrrotullime”, ka thënë ai.

Ndërkaq komuna e Lipjanit ka shpenzuar gjithsejtë 9 mijë e 150 euro për dekorim të qytetit. Në kontratën e kësaj komune të nënshkruar me një operator ekonomik midis të tjerash thuhet se vendi i kryerjes së shërbimeve do të jetë: “Sheshi Adem Jashari”, rruga “Shqipëria” së bashku me oborrin e objektit të komunës.

“OE obligohet që të vendos të gjitha elementet e paramasës në vendet e caktuara nga AK. Pas përfundimit OQ obligohet që te zhvendos dhe te pastroj ambientin ku janë kryer shërbimet. Çmimi i përgjithshëm për kryerjen e shërbimeve dekorimi i qytetit me rastin e festave të fundvitit shprehur në shifra është 9150.00 euro”, thuhet midis të tjerash në kontratë. /Agim Ademi.