Arbëri

Ora e Edukatës Fizike mbi beton e filloristëve alarmon prindërit

Të shtrirë mbi beton e kanë mbajtur orën e Edukatës Fizike të mërkurën nxënësit e klasës së katër “Abdullah Shabani” të Mitrovicës.

Të shtrirë në një pjesë të betonit në oborrin e kësaj shkolle dhe të udhëzuar nga mësuesja e kësaj lënde, këta fëmijë të vegjël janë detyruar që në temperatura të ulëta të marrin shënime për mjedisin.

Me këtë veprim të mësimdhënëses së Edukatës Fizike janë shqetësuar prindërit të cilët thonë se një gjë e tillë nuk është dashur të lejohet të ndodhë.

Ankohen se fëmijët e tyre mund të sëmuren shumë lehtë.

Drejtori i shkollës, Haki Shyti, thotë se nuk ka qenë në dijeni për këtë veprim që e ka bërë mësimdhënësja e Edukatës Fizike.

Sipas tij, kjo mësuese nuk ka bërë mirë me këtë iniciativë, megjithatë shton se mungesa e një salle të Edukatës Fizike e ka shtyrë atë ta mbajë në oborr orën.

Drejtori paralajmëron masa për këtë mësimdhënëse, derisa tregon se disa herë kanë bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit që t’ua ndërtojë sallën sportive, por që ende një e tillë nuk është ndërtuar.

Sallë të sportit nuk do të kenë së paku as vitin e ardhshëm mbi 1200 nxënës të kësaj shkolle.

Drejtori i Arsimit, Iset Beka, përmes telefonit, i ka thënë KTV-së se komuna ka planifikuar që vitin e ardhshëm ta rregullojë poligonin sportiv në oborrin e kësaj shkolle dhe 5 shkollave të tjera, por jo edhe ndërtimin e një salle.