Arbëri

Prezantohet projektrregullorja për menaxhim mbeturinash

Është mbajtur të martën pasdite një dëgjim publik për projektrregulloren për menaxhim mbeturinash, organizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, në Deçan. Në këtë takim, përveç kryetarit të Komunës Bashkim Ramosaj dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Izet Zenuni, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, këshilla të fshatrave, përfaqësues të ndërmarrjes komunale “Higjiena” dhe grupe punuese e qytetarë.

Ky ka qenë dëgjimi i fundit për këtë projektrregullore, për të cilën të pranishmit shprehën mendimet, rekomandimet dhe vërejtjet e tyre, të cilat do të inkorporohen në këtë projektrregullore. Ky dëgjim publik ka qenë i fundit dhe në takimin e radhës të Kuvendit Komunal pritet që ajo të miratohet. Pas prezantimit të projektrregullores për menaxhimin e mbeturinave, drejtori i Shërbimeve Publike, Izet Zenuni, ka bërë të ditur se aktualisht gjenden në përmbyllje të fazës së dytë të shpërndarjes së kontejnerëve nëpër fshatra, ku deri tashti, siç tha ai, falë angazhimit të grupit punues dhe vullnetarëve, gjithçka është duke shkuar sipas planit dinamik të paraparë.

Deri tashti, siç tha Zenuni, janë shpërndarë kontejnerë në 43 për qind të territorit të Komunës së Deçanit. Shpërndarja e tyre ka nisur në korrik dhe fillimisht organizata GIZ ia ka dhuruar Komunës 1 mijë e 500 kontejnerë. Kurse, siç tregoi Zenuni, Komuna i ka blerë vetë pastaj 1 mijë e 200 kontejnerë të tjerë dhe këtij numri të kontejnerëve i janë shtuar ndërkohë edhe 300 të tjerë që ua ka dhuruar sërish GIZ-i.\I.O.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)