Arbëri

Grupi i LDK-së në Lipjan prej gjashtë muajsh pa dy këshilltarë

Prej rreth gjashtë muajsh grupi i këshilltarëve në KK të Lipjanit nga radhët e LDK-së po funksionon me dy këshilltarë më pak, ndërkohë dorëheqja e tyre është lajmëruar me kohë te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), mirëpo ende nuk është bërë zëvendësimi i tyre.

Nga ana tjetër, në KQZ kanë thënë se për të gjitha këto vonesa dhe dështime mban përgjegjësi presidenti i vendit derisa nuk i ka emëruar anëtarët e KQZ-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rreth kësaj çështjeje, ka reaguar OJQ “YAHR” nëpërmjet raportit monitorues të Kuvendit Komunal në Lipjan.

“Që nga muaji maj i këtij viti është krijuar një problem në KK të Lipjanit si pasojë e mosfunksionimit të KQZ-së në nivel qendror. Më 21 maj 2018, këshilltari Diamant Bytyqi ka dhënë dorëheqje nga mandatet si anëtar i Kuvendit të Komunës së Lipjanit nga radhët e LDK-së dhe për këtë e ka njoftuar KQZ-në. Ku mbështetur në nenin 10 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, KQZ-ja ka qenë e obliguar t’i zëvendësojë me anëtarë të rinj, të cilët janë kandidatë të radhës që gjenden në listën e rirenditur të kandidatëve të subjektit politik të tyre. KQZ-ja nuk e ka bërë ndryshimin akoma, meqë nuk është funksionale për shkak të mosemërimit të anëtarëve të këtij institucioni nga ana e shefit të shtetit”, thuhet në raportin e “YAHR”-s.

Sipas tyre, po ashtu në këtë komunë edhe këshilltarja Linda Shahini nga radhët e LDK-së ka dhënë dorëheqje për shkak të punësimit në ekzekutivin e Komunës si zyrtare për integrime evropiane, ndërkohë as ajo nuk është zëvendësuar me kandidate të radhës që gjenden në listën e rirenditur të kandidatëve të subjektit politik të tyre.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)