Arbëri

Ndalohet për një muaj përdorimi i mjeteve piroteknike në Rahovec

Komuna e Rahovecit, duke filluar nga mesi i këtij muaji e deri në mesin e muajit janar të vitit të ardhshëm do të ndalojë përdorimin e produkteve piroteknike në vendet e hapura publike.

Urdhëresa për këtë çështje është nënshkruar të martën nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi. Ky i fundit ka sqaruar se këtë veprim e ka ndërmarrë për shkaqe sigurie, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Të dashur qytetarë, për shkaqe sigurie ju njoftoj me urdhëresën time për ndalimin e hedhjes së mjeteve piroteknike në vendet e hapura e publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe të Komunës së Rahovecit”, shkruan në postimin e kryetarit Latifi në rrjetet sociale, ku është publikuar edhe përmbajtja e plotë e urdhëresës.

Ndërsa Zyra komunale për informim ka konfirmuar nënshkrimin e këtij akti komunal nga kreu i Ekzekutivit lokal.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)