Arbëri

Haradinaj merr pjesë në nisjen e punimeve në asfaltimin e rrugës Sitnica në Obiliq

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot fshatin Plemetin dhe ka marrë pjesë në nisjen e punimeve në asfaltimin e rrugës Sitnica, në Obiliq.

Haradinaj theksoi rëndësinë e realizimit të këtij projekti për banorët e këtyre fshatrave.

“Kemi ardhur në respekt të këtij projekti që i bën bashkë shqiptarët dhe serbët dhe të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën e Obiliqit, dhe i përgëzojmë për këtë projekt”, tha kryeministri.

Ai tha se ka kërkuar nga KEK-u që t’iu jap përparësi familjeve që janë të shpërngulura dhe do të insistojnë që në investimin e ri të përfshihen banorët e Obiliqit, ata që janë të gatshëm për punë, sepse këto zhvillime, siç tha ai, kanë ndikim edhe në ambientin jetësor.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se projekti i cili kap vlerën rreth 230 mijë euro, është rrugë e cila lidhet me urën dhe vazhdon nga Plemetini deri në Hamidi, Palaj, Shipitullë, e që realizohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Po ashtu, kryetari Gashi, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për përkushtimin e tij dhe punën e madhe që po e bën për Obiliqin, duke thënë se vitin tjetër do të ndryshojë shumëçka në këtë komunë.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Slavisa Jakovljeviq, ka thënë se më e rëndësishmja për ta është fakti se kryetari i Komunës nuk i ka harruar asnjëherë dhe se çdoherë që ka pasur kohë i ka vizituar ata, duke e ftuar kryeministrin Haradinaj për vizitë në shtëpinë e tij, me ç’rast kryeministri Haradinaj e pranoi ftesën dhe më pas e vizitoi familjen e nënkryetarit të kësaj Komune.

Njëri nga banorët e kësaj pjese, nga komuniteti serb, e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për angazhimin ndaj komunës së Obiliqit, duke thënë se qeverisja dhe bashkëpunimi në mes kryetarit dhe nënkryetarit është një shembull edhe për komunat tjera.