Bahtiri i kërkon Qeverisë të dërgojë në Kuvend propozimin për bashkimin e Mitrovicës Foto: Ilustrim

Bahtiri i kërkon Qeverisë të dërgojë në Kuvend propozimin për bashkimin e Mitrovicës

04 dhjetor 2018 11:08

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta dërguar në Kuvend propozimin për ndryshimin e Ligjit që do ta bashkonte Mitrovicën në një komunë të vetme.

Përmes një postimi në Facebook, Bahtiri ka thënë se kërkesa e tij për bashkimin e qytetit është mbështetur edhe nga të gjitha partitë politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës.

“Unë kam kërkuar bashkimin e qytetit të Mitrovicës në një komunë të vetme, ashtu siç ka qenë gjithmonë, kërkesë e cila është mbështetur edhe nga të gjitha partitë politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës. Ndërsa, tash Qeveria duhet të bëjë veprime konkrete për ndryshimin e ligjit përkatës, që do ta bënte Mitrovicën me një komunë të vetme”, ka thënë Bahtiri, raporton Koha.net.

Ai thotë se qarqe të caktuara politike po e kundërshtojnë këtë nismë, por që nuk po i kundërshtojnë veprimet për ndarjen e Kosovës të kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri.

“Pra, si është e mundur që unë nuk kam të drejtë të punoj për bashkimin e qytetit, i cili gjithmonë ka qenë një dhe i vetëm, e dikush tjetër prej kolegëve të mi serb paska të drejtë të kërkojë ndarjen e Kosovës? Unë e di saktë çka dua dhe jam thellësisht i bindur se bashkimi do të ndodhë, gjë që do ta dëshmojë e ardhmja e afërt. Mirëpo, me vjen keq që institucionet qendrore nuk e kanë këtë informacion, e që do të duhej ta kishin”, ka thënë më tej kreu i Komunës së Mitrovicës.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojë sa më shpejt dhe ta dërgojë në Kuvend propozimin për ndryshimin e ligjit që do të bashkonte Mitrovicën në një komunë, “sepse nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit të qytetit”.

“Ata që thirren në Planin e Ahtisaarit duhet ta dinë se ai është projekt i implementuar dhe i tejkaluar, që e ka sjellë pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, Kosova nuk mund të mbetet peng i asnjë plani dhe asnjë njeriu, por duhet të zhvillohet konform asaj që e bën funksional shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka përfunduar Bahtiri.

Më 30 nëntor, Asambleja e Komunës së Mitrovicës i dha mbështetjen e plotë iniciativës e cila i kërkon Qeverisë ta procedojë në Kuvend ndryshimin e disa neve të Ligjit për kufijtë administrativë të të dy komunave të Mitrovicës.

Me vota unanime, Kuvendi Komunal i Mitrovicës miratoi këtë iniciativë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme